Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se do të ofrojnë ndihmë teknike për Gjykatën e lartë për përshpejtimin e çështjeve të prapambetura. Kështu ka bërë me dije në një postim ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim është takuar me kreun e Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi. Ajo shkruan se me Sadushin ka diskutuar dhe për futjen e gjyqtarëve shtesë të kualifikuar në sistem.
“Takim produktiv me Sokol Sadushin, Kryetar i Gjykatës së Lartë. Numri i prapambetur po reduktohet, por ne ramë dakord se duhet të përshpejtojmë – SHBA do të ofrojë ndihmë teknike. Gjithashtu u diskutuan hapat e ardhshëm për futjen e gjyqtarëve shtesë të kualifikuar në sistem ndërsa Vettingu vazhdon”, shkruan Yuri Kim.
Lidhur me reduktimin e numrit të dosjeve në Gjykatën e Lartë, ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar më herët përfshirjen e partneres së ministrit Bledi Çuçi përmes një marrëveshje të East-West Institute me ambasadën e SHBA. Sipas Berishës, Delina Fico është pjesë e këtij instituti.
Emri i Delina Ficos është pjesë e stafit të zyrës qëndrore të Institutit, si Drejtore e Programeve të Shoqërisë Civile, pra lidhja që bën ish kryeministri Sali Berisha nuk ka asgjë të paqenë. (Kliko ketu)
Në anën tjetër ambasada amerikane e ka promovuar marrëveshjen e Institutit East-West Managment me Gjykatën e Lartë në rrjetet sociale. Në datën 13 Korrik Ben Rockwell, Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit, u takua me Kryetarin në Detyrë të Gjykatës së Lartë, Gjyqtarin Sokol Sadushi për të biseduar mbi këtë projekt. Ai synon të nxisë gjykimin e dosjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, që janë disa dhjetëra mijëra të mbetura stok./lapsi