Nga Gëzim Saliu
Në 31 vite politikë, Sali Berisha mund të gjykohet për shumëçka. Por tipari dallues i tij si politikan rrace është fakti se ka ditur gjithnjë të sjellë frymë e risi në çdo rikthim, madje edhe në kohët më të vështira të karrierës së tij. E kundërta, sic edhe u vërtetua me kohën, ndodhi me pasardhësin e tij në politikë Lulzim Bashën, i cili fakteqësisht, përtej formimit të tij perëndimor, nuk ishte i aftë të sillte një projekt-ide që të ishte një vlerë shtesë në PD e më tej rrjedhimit edhe në rezultatet elektorale.
Kujtoni KOP-in e famshëm të 2005-ës. Një platformë risi e cila ishte ‘kali i betejës’ se koalicionit opozitar në ato zgjedhje. Në të njejta zgjedhje, kujtoni se Berisha u bashkua edhe me ato demokratë që kishte shkëmbyer akuza ndoshta edhe më të forta se ndaj Fatos Nanos. U bashkua se kuptoi se vetëm kështu mund të sillte PD-në në pushtet. Basha ndërkohë jo vetëm që kritikët e tij i përjashtoi nga partia me një të rënë të lapsit, por në vitet pasuese nuk mori as mundimin më të vogël për te bashkuar të gjitha rrymat e krijuara për një PD të unfikikuar.
Edhe sot, kur Berisha gjendet nën kushtet e ‘non grata’ nga SHBA, sërish pati guximin e forcën për të sjellë para shqiptarëve një platformë e cila sic edhe u vërtetua sot, përmban vlerat më të mira demokratike brenda saj. Primaret padyshim mund të cilësohen si ‘gjetja’ kryesore e Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit në këtë rikthim të tretë të doktorit. Dhënia e pushtetit të përzgjedhjes, anëtarësisë, është pa më të voglin dyshim një lëvizje tejet e zgjuar e Sali Berishës në këto momente. Një model i marrë nga SHBA-të, aty ku demokracia arrin kulmin.
Berisha përmes kësaj lëvizjeje realizoi dy qëllime: Nga njëra anë i dha krahë anëtarësisë demokrate e cila përgjatë këtyre viteve ka qenë e tulatur dhe pa pushtet real, pasi gjithçka vendosej nga burokracitë e qendrës në Tiranë; Dhe nga ana tjetër nxorri zbuluar Lulzim Bashën si një ish-kryetar që nuk mundi asnjëherë në gjithë këto vite të drejtimit të PD-së të përfshinte brenda partisë konkurencën e pastër.
Krejt në kundërshtim me këto pikëpamje me standard të lartë demokratik, Lulzim Basha nuk mundi të largonte veten nga vendimarrjet, për t’i dhënë pushtet real anëtarësisë. Me vendimin e marrë në 2017-ën, të cilësuar nga atë gjithë demokratët si ‘listat e pazarit’, Lulzim Basha pranoi publikisht se kishte gabuar dhe do të ndryshonte krejt konceptin e përzgjedhjes në votimet e ardhshme. E kur të gjithë prisnin një proces demokratik në 2021-in, asgjë nuk ndodhi ndryshe.
Sërisht Basha nuk arriti të shkëputej nga praktike e kryetarllëkut, duke dashur ndoshta të vërtetojë se ishte ai që merrte vendimet në PD e jo Berisha. Ka nga ata demokratë që gjithashtu gjejnë arsye të tjera pas politikës personale të Lulzim Bashës së përzgjedhjes së kandidatëve, duke folur për atë që njihet si ‘praktika e zarfeve’. Por përtej këtyre akuzave, ajo që vërtet peshon te fajet e pakuptueshme të Lulzim Basha është fakti se si një i ri i diplomuar në perëndim, nuk tregoi asnjëherë në krye të partisë më të madhe opozitare, se ishte një lider demokratik.
Në gjithë këto vite, Basha u kufizua vetëm në takime e tryeza, në të cilat më së shumti mbante fjalën vetë, duke tentuar të rrisë kështu profilin e tij politik. ‘Harroi’ se në këtë xhungël shqiptare, fiton ose ai që ka stofin e një politikani karizmatik ( gjë e cila Bashës i ka munguar gjithmonë) ose ai që sjell projekt-ide e platforma krejtë të ndryshme nga kundërshtari politik.
Çfarë solli të re Basha në këto 8 vite? Asgjë më shumë se sloganet, nga ‘republika e re’ te ‘ndryshimi’. Trajta pa përmbajtje specifike! Nga ana tjetër për të qenë të vërtetë deri në fund, programi i 2021-it i PD-së së Bashës nuk krahasohej me atë të kundërshtarin që doli ‘çullak’ para shqiptarëve në fushatën e 25 prillit. Por kjo nuk mjafton! Basha u kujdes për sipërfaqen dhe harroi brendësinë. Nuk mundi të afronte elektoratin gri dhe mbi të gjitha harroi anëtarësinë, e cila edhe në këto zgjedhje u la mënjanë si një plaçkë e vjetër.
Mungoi te ai në gjithë këto vite, fryma e risisë! Basha jo vetëm që nuk mundi të kapërcente parardhësin e tij në këtë pikë, por shënoi edhe hapa pas. Kujtoni listat e kandidatëve për deputetë që publikoheshin gjithnjë përtej afatit të KQZ-së, mbas orës 12 të natës së ditës së fundit të dorëzimit të tyre. Edhe ky detaj, që sado mund të duket i parëndësishëm në plan të parë, vërteton politikën ‘përtace’ e njëkohësisht ‘ hileqare’ të Lulzim Bashës. Nga njëra anë mbante pezull listën duke pritur ofertat e orës së fundit e nga ana tjeteër i vërtetonte qytetarëve se ishte një lider i thyer e pa personalitet. Si mund ti besohej drejtimi i një shteti, një politikani që edhe ‘shtëpinë’ e tij e trajton si sipërmarrje private?