Pak kohë pasi revolta e celulave të ISIS në burgun e Al Hassakah, në Siri, vijon të mbajë në tension rajonin verilindor, një shqiptar është identifikuar mes të ndaluarve. Ali Musa Balliu i datëlindjes 1955 vijon të jetë në burgjet e Sirisë ndërsa pak ditë më parë ai u ndalua nga forcat kurde pasi burgu ku qëndronte u shpërthye nga grupet terroriste në tentativë për të liruar pjesëtarë të ISIS.
Drama e familjes Balliu nisi kur djali i tyre, Idajeti, u nis drejt Sirisë dhe u vra si luftëtar i Shtetit Islamik në Alepo, në vitin 2015. Ali dhe Ruzhdie Balliu u nisën drejt Sirisë e ndërsa Ruzhdie Balliu arriti të dilte nga kampi Al Hawl, bashkëshorti i saj mbeti në Siri. Ruzhdia ishte një nga shqiptarët me të cilët ekipi i A2 CNN takoi në kampin famëkeq në vitin 2019. “Burrin nuk e di fare se ku është”, deklaroi në atë kohë ajo për gazetarin e A2 CNN, Julian Kasapi.