Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, foli në Kuvend për Konventën për Mbrojtjen e Dhunës dhe Ngacmimit në Punë, duke theksuar se këto realitete janë të largëta për Shqipërinë.
Ajo deklaroi se në vend nuk ka sindikata, ndërsa denoncoi kryeministrin Edi Rama se përdor gratë dhe administratën si makineri për mbledhje votash.
Vokshi iu ka bërë më tej thirrje grave që të mos bëhen viktima të politikave të së keqes, që nuk pranon lirinë dhe dinjitetin personal.
“Sot administrata është në terrorin e shefit, ministrit, kryeministrit. Administrata detyrohet të angazhohet në fushata, si patronazhiste për të siguruar votën për parti-shtet. Për ta bërë më të qartë. E dini sa punonjës të administratës kanë bërë patronazhistin në njësitë 9 dhe 10? Janë me qindra që kanë patronazhuar mbi 25 mijë qytetarë. Për fat të keq, presioni mbi rrogën e ka çuar armatën pa vizion dhe orientim. Një anketë e zhvilluar së fundmi, financuar nga BE dhe ambasada suedeze zbuloi se një pjesë e vogël ishte informuar për diskriminimin.
Kjo situatë dëshmon që administrata shtetërore qëndron larg problematikave të qytetarëve. Burrat dhe gratë nuk e çonin ndërmend të raportonin rastet e diskriminimin në punë. Shumë prej tyre përjetojnë diskriminimin e shfaqur në forma të ndryshme. Mungesën e sindikatave, kryeministri Rama e konsideron si vlerë. Në takime me investitorë të huaj ai i josh ata duke i thënë që në Shqipëri s’ka sindikata. Shqipëria jeton në një vend autokratik ku të punësuarit duhet të pranojnë diktatin. Kjo konventë është më i pa favorshmi. Dhuna fizike që shpesh çon në dhunën fizike të nënave dhe vajzave është problem i shpeshtë.
Në 2020 5 gra kanë humbur jetën. periudha e pandemisë ka shënuar një periudhë të errët. Shteti hesht, deputetët heshtin, pseudo opozita hesht dhe hesht. Vetëm një mjedis i lirë, me mundësi të barabarta për të gjithë garanton të drejtat e grave. Në çdo vend, në familje, organizata, ku gratë shihen si shërbëtore, ato janë vendet ku gratë dhunohen. Më të mira dhe pa të ardhme janë ato familje që nuk ofrojnë shumë për gratë.
Akoma më imorale është përdorimi i grave kundër grave. Ata që përdorin gratë kundër grave janë mjeranë. Dua t’i bëj thirrje grave të mos bëhen viktima të politikave të së keqes, që nuk pranon lirinë dhe dinjitetin personal”, tha deputetja demokrate, Albana Vokshi.