Qeveria me në krye kryeministrin, Edi Rama, këtë të premte ju kanë paraqitur shqiptarëve spektaklin e radhës në aeroportin “Flatrat e Veriut” në Kukës. Me pompozitet dhe në prani të medieve u prezantua nga vetë Edi Rama, hapjen e katër linjave të reja ndërkombëtare me qytetin verior. Por si është e vërteta; A i plotëson kriteret e fluturimeve jo rajonale dhe a është certifikuar ky aeroport nga institucionet civile ndërkombëtare?
Alfapress.al nëpërmjet këtij shkrimi (“kontroll-fakt”), po ju paraqet me detaje mashtrimin propagandistik të qeverisë Rama dhe vetë kryeministrit me Aeroportin e Kukësit.
Pa certifikim
Sipas drejtorit të Aeroporti i Kukësit, Altin Progonati, “Flatrat e Veriut” mund të jetë gati për fluturime ndërkombëtare vetëm në muajin Maj. Sipas tij kjo shtyrje e nisjes së fluturimeve është bërë për shkak, se ky aeroport, ende nuk i përmbush kushtet e sigurisë.
Ai deklaroi gjithashtu se punimet në këtë aeroport janë drejt përfundimit, teksa pritet që ai të jetë tërësisht funksional dhe i hapur për të gjitha linjat ndërkombëtare deri në datën 20 maj, kur edhe do të jetë certifikuar në bazë të gjitha proceduarve ndërkombëtare.
Ka qenë vetë Albcontroll i cili në datën 17 qershor ka publikuar procedurën që tregon, se si do të operojë ky aeroport. Në dokumentin e publikuar, aeroporti i Kukësit pranon se ka një plan operimi vetëm për fluturime lokale, ose domestic flight. Kjo do të thotë se avionët mund të lëvizin tani për tani, vetëm nga Rinasi në Kukës dhe anasjelltas.
Por jo vetëm kaq: Në planin e operimit, aeroporti i Kukësit rezulton me modelin VFR (Visual Flight Rules) i cili është tregues i lëvizjeve të brendshme dhe navigimi bëhet vetëm me sy të lirë dhe me sistemin GPS të vetë avionit dhe jo IFV, ( Instrument Flight Rules). Pra ky shërbim duhet të bëhet jo nga pilotët dhe punonjësit, por nga instrumentet dhe kjo është kusht për aeroportet ndërkombëtarë.
Edhe më tej, aeroporti i dytë ndërkombëtar në Shqipëri, sipas Albkontroll, është i hapur vetëm 12 orë në ditë, pra nga mëngjesi në pasdite dhe jo natën. Orët e punës dhe operimit bëhen nga ora 5.00 e mëngjesit deri në orën 17.00. Nëse do të ishte certifikuar si aeroport ndërkombëtar do të ishte në listën e aeroporteve në ICAO. Por në ICAO, aeroporti i Kukësit nuk ekziston.
Pyetja që lindë është se: A është e ligjshme shitja e biletave për fluturime nga një aeroport i cili nuk ekziston?!
Përtej propagandës
Ditën e sotme (datë 4/02/2022) kreu i qeverisë Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ishin në Aeroportin e Kukësit ku edhe përuruan 4 destinacione ndërkombëtare drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës.
“Aeroporti i Kukësit – Pas testimeve të suksesshme kompania ËizzAir ul avionët e saj në aeroportin ndërkombëtar `Flatrat e Veriut`, me 4 destinacionet e para drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë”, trumbeton propaganda qeveritare.
Por cili është protokolli që një avion të ketë destinacione ndërkombëtare?
Më datë 9 korrik 2021 u krye fluturimi i parë, Zürich-Kukës nga kompania ajrore zvicerane Helvetic Airlines. Kjo ulje e parë e pasagjerëve por edhe ngritja e tyre, pavarësisht se ka qenë fluturim direkt ka ndryshuar planin e fluturimit nga ndërkombëtar në atë lokal. Kjo për faktin se aeroporti i Kukësit, “Flatrat e Veriut” ende nuk është i certifikuar ndërkombëtarisht siç e sipër cituam.
Atëherë lind pyetja. Si arriti një kompani e huaj të bënte fluturimin e saj të parë hyrës dhe më pas dalës, në një aeroport ku vetë Shqipëria e njeh si lokal?
Avioni i kompanisë zvicerane Helvetic Airline, me kodin HB-AZC OAË 8174, është ngritur nga Zyrihu me desitnacion të panjohur. Në të gjithë udhëtimin e tij dhe i montirouar në kohë reale nga flightradar24, ky avion Amberair ka qenë me plan fluturimi IFR. Pra i monitoruar nga instrumentet dhe më pas sapo ka hyrë në territorin Shqiptar, fluturimi ka kaluar në VFR, pra në fluturim lokal.
Me pak fjalë; është nisur si një fluturim ndërkombëtar pa destinacion të njohur, por më pas ka bërë ulje me NOTAM, për ulje në aeroport lokal që ishte ai i Kukësit ku priste Edi Rama.
Rastet kur ndryshon destinacioni, bëhen vetëm kur vetëm piloti shpall emergjencë. Që një fluturim ndërkombëtar të bëjë një ulje me parametrat e një fluturimi lokal ndodh vetëm më kërkesë të pilotit në kushtet kur ka emergjenca apo arsye madhore.
Por në këtë rast emergjenca e madhe ishte vetë, Edi Rama, i rrethuar nga kamera dhe gazetarë dhe etja e tij për propagandë mashtruese!
A është një fluturim ndërkombëtar komercial, arsye madhore?
A marrin kosto personale pilotët dhe kompanitë e fluturimit që do të kryejnë këto fluturime?
A do të ndjekë edhe Air Albania këtë “stil”?
Pse qeveria shqiptare para se t’ia lërë koncensionarit aeroportin, nuk pret certifikimin ndërkombëtarë të tij?
Këto janë disa nga pikëpyetjet e ngritura, të cilat përtej nevojës për propagandë, kërkojnë përgjigje nga kryeministri Edi Rama.
Ministria e Infrastrukturës “fshihet” pas NATO-s
Ministrja e Infrastrukturës nga ana tjetër duke qenë se e di të vërtetën ka bërë një gjysmë mbulim apo alibi, të kësaj situate absurde.
Ministrja Balluku bëri me dije se është marrë konfirmimi nga NATO për Aeroportin e Kukësit dhe tashmë ai është pjesë e certifikuar e logjistikës së Alencës ushtarake. Me këtë Balluku kërkon të bind se aeroporti i Kukësit pavarësisht se nuk është certifikua, i plotëson të gjitha kërkesat e sigurisë teknike.
“Ky është një aeroport rajonal që mbulon nevojat e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Dje kemi marrë një konfirmim nga NATO për këtë aeroport, është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s, kjo tregon se ky aeroport plotëson të gjitha kërkesat e sigurisë teknike dhe të gjitha kërkesat e sigurisë te vendosura nga NATO dhe BE gjithashtu.”, tha Balluku.
Por aeroporti civil dhe ai ushtarak janë dy paralele, që nuk kanë asnjë pikë takimi.
Aeroporti i Kukësit ngelet një orvatje e Edi Ramës që një foshnje ta bësh të dukur si i rritur. Dhe kjo mund të realizohet, vetëm në ERTV-në e kryeministrit.
Volker Dick, kreu i sindikatës së kontrolloreve të trafikut ajror evropian, u shpreh se ka disa shkelje sa i takon punonjësve dhe kushteve që duhet të plotësohen, ndaj për këtë arsye do të ketë dhe auditim ndërkombëtar.
Sipas burimeve të “Alfapress.al” në muajin shkurt 2022 pritet që të vijë në Shqipëri EASA (European Union Aviation Safety Agency), si organi më i lartë i kontrollit të aviacionit, i cili edhe do të përcaktoj nëse kushtet e aviacionit në Shqipëri i plotësojnë parametrat e BE në vazhdën e aspiratës që vendi ka për tu qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu disa kohë më parë kontrollorët e aeroportit të Rinasit u futën në grevë. Në një deklaratë për media, avokati i kontrollorëve ka thënë se pushimi i dy kolegëve të tyre nga puna dhe mosrespektimi i kontratës me shtetin, kanë qenë disa nga arsyet, përveç uljes së pagës, që kanë çuar në pezullimin e punës. Kjo lëvizje ka shqetësuar EASA, e cila do të vijë në Shqipëri me një delegacion “fakt-mbledhës” për të parë situatën nga afër./Alfapress.al