Tre kongresistë të fuqishëm ulen mes shqiptarëve në Manhattan, premtojnë një riangazhim amerikan për Kosovën

0
242

Kosova dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ishin në qendër të një takimi miqësor të komunitetit tonë me tre kongresistë të fuqishëm në Manhattan. Darka synonte mbledhjen e fondeve për kongresistët Gregory Meeks dhe Mondaire Jones. Për ata që nuk e dinë, Meeks është kryetari i fuqishëm i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai ka zëvendësuar në këtë detyrë mikun tonë, Eliot Engel. 

Kongresisti Jones është përfaqësues i një zone në Westchester dhe Putnam, ku banojnë shumë shqiptaro-amerikanë, dhe një nga yjet në ngritje të Partisë Demokrate.

Takimi u organizua nga Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria” dhe Elio Ahmetaj, pronar i restorantit të njohur “Allora”, në Manhattan. Të dy veprimtarët e njohur të komunitetit kanë bashkuar forcat edhe më parë për të lobuar për çështjen kombëtare.

Me ftesën e tyre në takim mori pjesë edhe kongresistja e fuqishme Carolyn Maloney, kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, anëtare e hershme e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan. Botuesi Bajrami ka organizuar takime fondmbledhëse për të në të kaluarën.

“Nuk kishte si të mungoja”, u shpreh ajo, për darkën mes shqiptarëve. “Allora Restaurant është në distriktin tim dhe jam e gëzuar që dy kolegët e mi kanë ardhur këtu për vizitë”. 

Darka ishte e pasur me ushqime dhe pije të shumëllojshme, falë bujarisë mikpritëse të pronarit Elio Ahmetaj. Ai i falenderoi pjesëmarrësit duke uruar për mbrëmje më të shpeshta për të ndihmuar Kosovën dhe kombin shqiptar.

Image

Meeks dhe Maloney janë dy figura madhore të Kongresit dhe miqësia me ta është një pasuri e rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe lobimin shqiptar në SHBA.

Darkën e drejtoi Christopher Hyland, njeriu që prezantoi komunitetin shqiptar me kandidatin për President, Bill Clinton, në vitin 1992. Në fjalën hapëse, ai falenderoi veçanërisht, botuesin Bajrami që vazhdimisht organizon takime të tilla me rëndësi historike.

Në prezantimin e tij, ai i ftoi shqiptarët që të punojnë për ta mbyllur përfundimisht konfliktin, me ndërmjetësinë e SHBA-së për të arritur një marrëveshje që do ta bënte Serbinë të pranonte pavarësinë e Kosovës.

Mes të ftuarve ishte Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, që tani përfaqëson vendin edhe në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria do të jetë anëtare për këto dy vite. Vetëm një ditë më parë, Shqipëria ishte radhitur në krah të Shteteve të Bashkuara, për t’iu përgjigjur kërcënimit ushtarak të Rusisë dhe tani ndodhej në të njëjtën tavolinë me kongresistin Meeks që drejton Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ambasadori Hoxha tha në prezantimin e tij, se puna për të siguruar njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës mbetet një nga përparësitë e tij dhe të Misionit Shqiptar në OKB.

Ambasadori Ferit Hoxha i dhuroi me këtë rast biznesmenit Christopher Hyland, në emër të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, “Urdhërin e Kalorësit të Skënderbeut”.  Ai lavdëroi rolin e Hylandit në periudhën e viteve 1990, kur shqiptaro-amerikanët po përpiqeshin të njihnin demokratin Clinton me çështjen e Kosovës dhe demokracisë në Shqipëri.

Mori pjesë edhe Ambasadori Frymezim Isufaj, që drejton Konsullatën e Kosovës në New York.

Ai tha se Kosova nuk ishte ende anëtare e OKB-së por ishte optimist se në fund do të zinte vendin e merituar në komunitetin ndërkombëtar. Ai falenderoi të tre kongresistët për ndihmën e tyre për Kosovën.

“Unë kam punuar në Washington”, tha Ambasadori Isufaj, “dhe e njoh kontributin tuaj, sidomos me kryetarin e Komitetit të Punëve të jashtme, kongresistin Meeks, me zyrën e të cilit kemi bashkëpunuar shumë”. 

Ai la për në fund të takimit komplimentin më të madh për shqiptarët e mbledhur aty. Përpara se të kishte ambasadorë nga Kosova në këtë vend, “ju keni qenë ambasadorët e saj të pazëvendësueshëm”, tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here