Pezmatimi i (pa)arsyetuar i Lulzim Bashës për zgjedhjet e 6 marsit

0
273

Nga Gëzim Saliu

Nuk isha hasur deri më sot me asnjë deklaratë të  një kryetarie partie opozitare, më së paku në kontinetin ku bëjmë pjesë, që të kritikonte faktin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, në rastin tonë të pjesshme. Në logjikën standarde, zgjedhjet janë ‘arma’ të cilën opozita e pret me padurim për të ndryshuar bilancet e pushtetit, qofshin këto zgjedhje të përgjthshme parlamentare ashtu edhe vendore.

Kur vërejta në media deklaratën e Lulzim Bashës, mbajtur në mbledhjen me dyer të mbyllura me Kryesinë e partisë, mendova se burimi i lajmit kishte gabuar në zbardhjen e saj. Por më vonë rikonfirmova se kishte qenë e tillë sic edhe ishte paraqitur fillimisht në portale të ndryshme. Në atë deklaratë para anëtarëve të Kryesisë Basha ishte shprehur: “Zgjedhjet e 6 marsit janë zgjedhjet e dyshes Berisha-Meta. Nuk kishte pse të kishte zgjedhje tani kur për pak muaj do të ketë sërish zgjedhje në të gjitha bashkitë, por këto janë për të sulmuar PD-në.”

Pra në logjikën e Lulzim Bashës, falja në tavolinë e 61 bashkive ndaj Ramës duhej të aplikohej në mandat të plotë. Sipas Bashës, nuk kishte asnjë arsye pse të zhvilloheshin zgjedhjet e pjesshme, pasi në krye të bashkive komandonin njerëzit e kryeministrit.

Përtej këtij këndvështrimi që zbulon hapur pazarin e bojkotit të zgjedhjeve të 2019-ës, ky dëshpërim i Bashës ndaj mbajtjes së zgjedhjeve vërteton të kundërtën e deklartave superlative të tij për mbështetjen e gjerë që ka te demokratët dhe shqiptarët. Ka qenë Basha ai që ka pohuar se ka mbështetjen e më shumë se 90 % të demokratëve. Ka qenë po Basha ai që ka dalë hapur ndaj atij që e cilëson si ‘trekëndëshi i Bermudës’ dhe ka theksuar se nga tani shqiptarët do të braktisin politikën e vjetër e do të besojnë platformën e tij ( a thua se harron bilancin e tij personal me 4 humbje dhe 16 vite në politikë).

Në kushtet kur Basha beson se ka mbështetjen e gjerë në elektorat dhe aq më tepër te demorkatët, nuk duhej t’i trembej aspak zhvillimit të zgjedhjeve, madje ti konsideronte ato si një mundësi të artë për të vërtetuar deklaratat e tij publike. Por të gjithë tashmë e kanë kuptuar, Basha i pari, se demokratët kanë humbur besimin te ish-lideri i tyre i cili në thuajse 9 vite të drejtimit të partisë siguron vetëm disfata seriale dhe braktisje të kauzave.

Basha e di mirë se me këto zgjedhje do të dalë zbuluar se kush ka mbështetjen më të madhe në dy grupimet në PD, ndaj edhe nuk do ballafaqimin e drejtpërdrejtë në elektorat. Basha i është shmangur me çdo mënyrë e çdo formë ballafaqimit me Berishën, ndonëse po të kishte ndodhur ky ballfaqim, ishte e sigurtë se nuk do kishte pasur as 8 Janar e as dy Kuvende. Do mjaftonte një përballje te demokratët për të vërtetuar se kush mes të dyve ka shumicën e çdo gjë do zgjidhej me votë. Por sic ka pohuar edhe ish-nënkryetari i partisë dhe një ndër njerëzit më të afërt të Bashës në këto 8 vite, Edi Paloka, synimi kryesor i Lulzim Bashës pasi përjashtoi liderin historik nga grupi parlamentar ishte shmangia me çdo kusht e përballjes direkte me Berishën.

Ky pezamtim që kapluar fund e krye grupimin e Bashës vërehet qartë edhe te mënyra si u zgjodhën kandidatët për këto zgjedhje të pjesshme. Zgjedhja e tyre erdhi pa asnjë garë të brendshme por me emërim dhe në fund me një miratim vule nga Kryesia e kontrolluar nga vetë Basha. Askund meritokraci, aq më pak garë.

Nga ana tjetër po të shohësh takimet e kandidatëve të Bashës në bazë, më shumë ngjasojnë me vakitë se sa fushatën elektorale. Të mbajtura në mini salla, me fytyrat e vrenjtura të deputetëve dhe nga ana tjetër kandidatët që në mesin e kësaj situate zie, mundohet të sjellin pak ngushëllim me deklaratat e ‘partisë që i thotë “jo” konfliktualitetit’.

Padyshim Lulzim Basha nuk i ka dashur këto zgjedhje. Ato demaskojnë deklaratat e fushatës farsë të tij për mbështetje masive në bazë dhe te qytetarët. Këto zgjedhje janë në fakt pasqyra e forcës reale brenda PD-së. Ndaj dhe ndoshta për të parën herë, Basha u tregua i sinqertë, kur pohoi para anëtarëve të Kryesisë: “Nuk kishte pse të kishte zgjedhje tani kur për pak muaj do të ketë sërish zgjedhje në të gjitha bashkitë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here