Analisti Besnik Mustafaj thotë me bindje se presidenti Ilir Meta nuk ka bërë asnjë shkelje të rëndë kushtetuese që mund të faktojë shkarkimin e tij.
I ftuar në studion e Abc Live, Mustafaj thotë se nuk duhet të kishte nisur as hetimi për presidentin.
“Mendimi im që nga fillimi i kësaj çështje është se nuk duhet të fillonte hetimi. Sepse në mënyrë absolute nuk ka bërë presidenti asgjë që çon në shkarkimin e tij. Nuk e ka shkelur Kushtetutënn. Asnjë argument i dhënë nga komisioni parlamentar nuk përbën shkelje të Kushtetutës. Thuhet se ka shkelur paanësinë. Ku është e shkruar kjo që ai nuk mund të flasë? Ne kemi raste vende modelesh të demokracisë, ku presidenti është mishërimi i unitetit kombëtar. Meta nuk ka shkelur asnjë rast Kushtetutën, nuk ka nxjerrë dekrete, nuk ka bërë akte ligjore. Por bindjet e tij personale nuk mund ta pengojnë që t’i shprehë”, tha ai.
I pyetur nëse ishte provokim për PD-në dhe a favorizon Berishën shpallja e zgjedhjeve të pjesshme lokale, Mustafaj thotë se presidenti duhet t’i dekretonte zgjedhjet më herët dhe madje ishte i vonuar.
“Berisha nuk mundi të çojë as logon e tij, nuk e di çfarë favorizimi i ka bërë. Është perceptimi si një garë mes dy fraksioneve të PD, është një farë testi. Meta ka qenë i detyruar t’i dekretojë zgjedhjet, i ka vonuar aq sa e ka tepruar. Ajo që më bën përshtypje është se përsëri Basha dhe përkrahësit e tij po përdorin procedurën dhe retorikën për të shmangur ballafaqimin politik”, tha Mustafaj.