Nga Andi Bushati
Lulzim Basha ka vendosur të votojë pro zgjatjes së mandatit për komisionet e vettingut, fiks me të njëjtën mënyrë siç kundërsharët e tij e akuzojnë se merr rryshfet nga oligarkët: duke vepruar tinëz dhe pabesisht. Ndërkohë që Edi Rama e ka urdhëruar që në tetor të vitit të shkuar: “Marsh shkoni votoni, unë nuk bëj pazar me ju”, Basha priti deri në sekondat e fundit për të treguar se çfarë do të bënte.
Gjatë gjithë kësaj kohe ai thjeshtë ka heshtur, është përpëlitur dhe ka mashtruar publikun duke mos mbajtur një qëndrim. Vetë pesronalisht për shkak të angazhimit në studio televizive, i kam pyetur vazhdimisht shumë nga eksponentët e PD-së, se si do të silleshin kur të vinte momenti i këtij akti final. E kam bërë këtë nisur jo vetëm nga kureshtja, por edhe i bindur se politikanët duhet të përballen me qëndrimet dhe thëniet e tyre të mëparshme. Duke e ditur se Basha e kishte quajtur Vettingun një projekt mafioz, ku ndërkombëtarë të korruptuar po ndihmonin Ramën të kapte drejtësinë (video poshte), duke ditur se PD-ja i kishte akuzuar shpesh komisionet e vettingut për politizim dhe korruptim me para në dorë, kam këmbëngulur fort të kuptoja se si do të bëhej kjo piruetë 180 gradëshe.
Që nga nënkryetarët e PD-së e deri tek deputetët e thjeshtë, kam parë konfuzion, paqartësi dhe frikë për të folur, sepse askush nuk ishte i sigurtë për momentin se kur Basha do të zdërhallej me llapë mbi ato çka kishte pështyrë.
Ky ngurim vinte edhe për faktin se nga selia qëndrore e partisë patën dalë gjatë këtyre muajve versione të ndryshme. Fillimisht Basha thoshte se ky propozim i Ramës dhe ndërkombëtarëve nuk ishte prioritet i PD. Nisur nga kjo moto deputetët e tij i braktisën fillimisht punimet e komisionit të legjistlacionit. Pastaj qëndrimi evuloi. Meqë bëhej fjalë për ndryshim të kushtetutës, ku duheshin detyrimisht dhe votat e opozitës, u la të kuptohej se duhej bërë një ndërhyrje e madhe në ligjin themeltar të shtetit, ku të përfshiheshin edhe propozimet e PD-së si vettingu i politikanëve rishikimi i reformës teritorale dhe asaj zgjedhore.
Gjuha që përdornin hierarkët e PD-së ishte, se kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa konsultime me publikun dhe pa marë gjërësisht mendimin e specialistëve, se një gjë e tillë nuk mund të zgjidhjej si pazari i fshehtë i natës së fundit. Madje si rezultat i kësaj, u hodh dhe ideja se edhe nëse zgjatja e komisioneve të vettingutt pranohej, ndonëse këta kripto rilindas nuk kishtin bërë as gjysmën e punës që patën marrë përsipër (kanë shqyrtuar vetëm dosjet e 800 prokurorëve dhe gjyqtarëve), ky kompromis mund të bëhej duke zëvendësuar të paktën njërëzit me të tjerë. Pra që komisionerët që opozita i kishte etiketuar si të kapur nga pushteti të ndryshoheshin duke i dhënë rol edhe PD në filtrimin e kandidaturave të reja.
Tragjikisht asgjë nga këto nuk ndodhi, as debati publik, as bilanci dhe marja në shqyrtim e punës të atyre që do ti jepej një mandat i ri kushtetues, as ndryshimi i emrave të vettuesve, as rishikimi i formulës të deritanishme.
Paturpësisht Basha e la çështjen në heshtje dhe errësirë deri natën e fundit, loboi në kulisa me diplomatët që të merrte disa deklarata mbështetjeje dhe në fund bëri fiks ashtu siç e kishte urdhëruar Rama që në tetor, shkoi të votonte pa hedhur vickla.
Natyrisht, evokimi i gjithë kësaj sage disa mujore nuk ka ndonjë vlerë të madhe: sepse prej andej rrjedh po i njëjti konkluzion që e kanë kuptuar të gjithë, ai se Lulzim Basha, as nuk skuqet as nuk zverdhet nga gënjeshtra, se ai nuk ka asnjë lidhje me koherencën në politikë, se ai është sendërzim i mendësisë: “ç’punë kam unë, me atë që kam thënë unë”. Këtë bëri edhe sot para kuvendit kur tha se po prishte planin e Ramës për të sabotuar vettingun.
Por, këtu problemi i madh është se për mandatin e dytë me radhë, opozitarizmi në Shqipëri po mbetet pothuajse i papërfaqësuar në parlament. Sot votat e pd-istëve të Bashës janë të barabarta me ato të Kujtim Gjuzit, Jenisherit, asaj biondinës së “kërpëratave”, si shtojca që i shërbejnë rilindjes për të bërë formalisht numrat që i duhen.
Në këtë kuptim, nuk ka më asnjë interes të shikosh se ç’bëjnë lolot e PD-së zyrtare me komisionet për vjedhjen e zgjedhjeve, për inceneratorët, apo denoncimet e tyre për krimin. Në fund ata shndërrohen në gomën rezervë të regjimit, i cili i nxjerr nga bagazhi aa herë i duhet. Kështu ndodhi edhe sot, kur një tufë deputetësh të pështirë, morën formën e shefit të tyre, duke harruar se ç’kanë nxjerë nga goja për pesë vjet.