Dështimi i reformës në drejtësi/ ‘Shpërthen’ eurodeputetja: Për çfarë suksesi flisni kur nuk e rekomandojmë në Kosovë?!

0
156

Çështja e vetingut dhe reformës në drejtësi në Shqipëri u bë pjesë e diskutimit në Parlamentin Europian.

Një nga zyrtarët e Komisionit Europian, Maciej Popowski e vlerësoi këtë reformë.

“Ne kemi provuar se disa nga partnerët në Ballkanin Perëndimor kanë bërë progres të mirë dhe të qëndrueshëm në fushën e sundimit të ligjit. Do të cilësoj dy shembuj. Një është Shqipëria, ku mbështetja e Bashkimit Europian ka dhënë rezultate të thella dhe paprecedentë të reformës në drejtësi, që vazhdon të zbatohet me rezultate konkrete”, tha ai.

Por eurodeputetja Viola Von Cramon-Taubadel, ka theksuar se është e befasuar që komisioneri Popowski e ka konsideruar sukses reformën në drejtësi në Shqipëri, raporton ABC News.

“Jam pozitivisht e befasuar nga zoti Popowski kur dëgjoj që ai e konsideron reformën e drejtësisë në Shqipëri një sukses. Do të isha dakord, por së fundmi, interlokutorët tanë në Kosovë na njoftojnë se Bashkimi Europian i nxit ata për të mos ndjekur të njëjtën rrugë që ndoqi Shqipëria. Madje u thuhet ta ndalin procesin e vetingut, gjë që e komplikon çështjen për ta, pasi ata janë tashmë në mesin e procesit dhe menduan se janë në rrugën e duhur për plotësimin e kritereve lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit. Pra, edhe në nivelin operacional dhe teknik nuk është e efektshme”, ka thënë Cramon.

Nga ana tjetër përfaqësuesi  i Gjykatës Evropiane të Auditit, Juhan Parts, ka theksuar se ky proces reformash duhet të ishte bërë me kohë në Shqipëri.

“Jam dakord me zotin Popowski, që cilëson procesin e vetingut të gjyqtarëve në Shqipëri dhe të prokurorëve. Por mendo, që vetingu i gjyqtarëve vjen së paku pas një dhjetëvjeçari reformash. Këto reforma mund të ishin bërë që në fillim fare”.

“Situata në rajon është shqetësuese. Në bazë të shumë raporteve, shumë qeveri në rajon janë bërë më autoritare në dhjetëvjeçarin e fundit pavarësisht progresit zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Ka elemente të qarta të kapjes së shtetit, përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionit në shumë nivele të qeverive dhe administratave”, ka thënë Parts.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here