Demokrati Bardh Spahia e ka më se të qartë arsyen pse ai do të mundë kandidatët e tjerë dhe do të arrijë të bëhet Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, si kandidat i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.
Në një kohë kur përçarja e PD-së i jep krahë kandidates së PS-së, Majlinda Angonit, në Shkodrën që socialistët nuk kanë arritur ta marrin dot, Spahia ka renditur të gjitha arsyet pse ai dhe ajo që ai përfaqëson, do të fitojnë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit.
Në emisionin “Dekalog” në RTSH-24, Spahia u pyet mbrëmë se pse pranoi të kandidojë për kryetar bashkie në Shkodër si përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit të PD, kur tashmë PD-ja ka një krizë të thellë brenda saj dhe si mund të fitojë ndaj PS-së, kur opozita është e ndarë në dy pjesë?
Spahia tha: “Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjesha me një pyetje: a mund të quhet shkodran një njeri që nuk është i gatshëm në çdo moment t’iu shërbejë Shkodrës dhe shkodranëve?! Shkodra i ka dhënë shumë çdonjërit prej nesh, së pari krenarinë për t’u quajtur shkodran. Është një cilësim që na rreshton në krye të shumë arritjeve, vlerave, kontributeve që kur në këtë botë nisi dhe lulëzoi qytetërimi. Nuk e them vetëm unë, por edhe historia qindra apo mijëravjeçare e Shkodrës dhe e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.
Së dyti, është edhe një aspekt tepër i rëndësishëm i kësaj vendim-marrjeje, lidhja ime shpirtërore familjare me Shkodrën, miqësitë, njohjet, kontributet, profesionale apo do të thosha dhe kontributet publike. Gjatë gjithë kohës jam marrë me politikë. Të gjitha këto më bënë në njëfarë mënyrë të ndihem “i dënuar” t’i shërbej në çdo kohë dhe në çdo mënyrë bashkëqytearëve të mi.
Së treti ka dhe një aspekt tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm që është dëshira dhe vullneti i shkodranëve që unë të marr pjesë jo në një garë, po në një mundësi për të vënë, dijet e mia apo eksperiencën time apo përkushtimin tim në shërbim të Shkodrës.”
Por, z. Spahia, a mjaftojnë të gjitha këto sepse PD-ja është e përçarë, është në momentin e saj më të keq? Zonja Angoni që është kandidate e PS-së, është në momentin më të mirë për të garuar, sepse PD-ja është në krizë dhe këtë s’e mohoni dot.
Spahia nënvizoi: “Unë mendoj se kandidatja e PS-së nuk është aspak në momentin më të mirë; përkundrazi kandidatja e PS –së është përfaqësuesja direkte e një kryeministri që Shkodrën e ka persekutuar, e ka anashkaluar, e ka abandonuar për thuajse 9 vjet dhe pasojat e atij abandonimi më mirë se qytetarët shkodranë nuk i ka parasysh askush tjetër. Në këtë kontekst mendoj se do të reflektohet patjetër për faktin se një përfaqësues i Ramës nuk mund të sjellë asgjë të mirë për një qytet të rraskapitur tashmë nën peshën të madhe të zullumeve apo skandaleve të një qeverie, që vetëm për qytetarët e saj nuk mendon. Fakt konkret është spostimi i drejtorive kryesore të qeverisjes nga Shkodra në drejtim të Lezhës apo ndonjë bashkie tjetër e kjo do të thotë shumë,”theksoi Spahia.