Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, u ndal në Rrogozhinë edhe te çështja më e nxehtë e momentit, hetimi i Belgjikës për Lulzim Bashën.
Berisha tha në Rrogozhinë se Lulzim Basha ka gënjyer nën hetim përpara hetuesve belg. Jo vetëm kaq, por Berisha tha se hetuesit belg i kanë thënë Bashës se duhet të gjejë ndonjë avokat pasi e presin ditë të vështira.
Në fakt, pasi doli nga marrja në pyetje, Lulzim Basha shfaqi një retorikë tjetër. Ai më së shumti u përpoq që të tregojë se ky hetim është kompetencë e autoriteteve shqiptare.
Por Berisha tha se asgjë nuk e ndal hetimin belg. “Boll bërë be në emër të SPAK dhe BKH,” tha Berisha. Sipas tij, Belgjika ka të drejtë ta hetojë dhe ta arrestojë Bashën, madje ta dërgojë me avion direkt në Bruksel.
Ndërkohë një ditë më parë, gazetari Artan Hoxha deklaroi se paratë e ardhura me Toyota ishin të një bande të lidhur me Bashën.
Sipas Berisha, lidhja e Bashës me organizatën kriminale do të dalë në dritë, pavarësisht çdo përpjekje që mund të bëjë ai.