Statistikat e udhëtimeve për qëllime turistike brenda vendit zbulojnë gjendjen e pensionisteve shqiptarë, të cilët udhëtojnë shumë pak për qëllime turistike në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre europianë.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2020 tregojnë se udhëtimet brenda vendit u rriten prej kufizimeve pandemike për të udhëtuar jashtë vendit, por të moshuarit shqiptarë janë pjesa që udhëtoi më pak nga të gjitha grup- moshat, ndryshe nga tendencat Europiane ku mosha e tretë zë së paku 1 të katërtën e kërkesës për turizëm dhe udhëtime.
Duke i klasifikuar udhëtimet sipas grup-moshës INSTAT referoi se personat mbi 65 vjeç kryen rreth 13 % të totalit të udhëtimeve me 2019. Pjesa më e madhe e udhëtimeve zotërohet nga personat 65-74 vjeç, ndërsa në ata mbi 75 vjeç zënë vetëm 4.0 të totalit të udhëtimeve.
Të dhënat tregojnë se, mosha 25-34 vjeç udhëtojnë më shumë, duke zënë 22 për qind të totalit të udhëtimeve më 2020.
Udhëtimet nga grupet e të rinjve janë në një tendencë të njëjtë me vendet e BE-së. Gjatë dekadave të fundit profili i udhëtimeve kudo në Europë po ndryshon në favor te të rinjve, të cilët para se të krijojnë familje dhe të shënojnë rritje të larta profesionale vendosin të eksplorojnë nëpërmjet udhëtimeve.
Shifrat tregojnë se të rinjtë e moshës 15-24 vjeç janë grupi i dytë më i madh i udhëtareve brenda vendit me 19,5 për qind të totalit.
Në grup-moshat 35-54 vjeç shihet një ulje e rimit të udhëtimeve për shkak të angazhimeve profesionale dhe familjare.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, gratë udhëtojnë më shumë se burrat. Në vitin 2020 femrat dominuan 50.6 të vizitave nëpër qytetet e vendit në krahasim me 49.9% të burrave.
Në rezervimet e kryera nëpërmjet internetit, vihet re se: për rezervimet mbi llojin e transportit përqindjet më të larta regjistrohen për udhëtimet të cilat kanë si destinacion qarkun Korçë (52,8 %).
Ndërsa përqindjet më të larta të rezervimeve mbi format e akomodimit me agjenci udhëtimi apo operator paraqiten në udhëtimet që kanë si destinacion Korçën (26,6 %) dhe Shkodrën (25,0 %).
Në vitin 2020, janë regjistruar 1,4 % më shumë udhëtime për pushime dhe kohë të lirë në Shqipëri, krahasuar me vitin 2019. Përgjithësisht është shënuar ulje për të gjitha llojet e tjera të udhëtimeve, ndërsa për udhëtimet për qëllime biznesi të kryera në Shqipëri është shënuar ulja më e lartë.
50.9 % e udhëtimeve kishin si qëllim pushime, 39.5% vizita te të afërm dhe miq, 8,4 % të tjera dhe 1,2 për qind për biznes./Monitor