“Ka sinjale se…”! NATO ashpërson tonet ndaj Rusisë: Ndaloni përgatitjen e luftës, jeni ende në kohë të tërhiqeni!

0
151

Shefi i NATO-s tha se mirëpret sinjalet se Rusia mund të jetë duke shikuar që ta zgjidhë krizën me Ukrainën në mënyrë diplomatike, por i bëri thirrje Moskës që të demonstrojë se është e gatshme që të veprojë.

“Ka sinjale nga Moska se diplomacia duhet të vazhdojë. Kjo na jep hapësirë për optimizëm të matur. Por, deri më tani nuk kemi parë asnjë shenjë të shtensionimit të situatës në terren nga pala ruse”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para një takimi dyditor në Bruksel, ku do të takohen ministrat e mbrojtjes së Aleancës.

“Rusia ka grumbulluar forca ushtarake në dhe përreth Ukrainës në një shkallë të paprecedentë që prej Luftës së Ftohtë. Gjithçka është gati për një sulm të ri. Por, Rusia ka ende kohë që të tërhiqet, të ndalojë së përgatituri për një luftë dhe të punojë për zgjedhje paqësore të situatës”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha se situata aktuale “është kriza më serioze e sigurisë që jemi përballur në Evropë në dekada”.

 

 

Rusia ka grumbulluar 130,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, që ka rritur shqetësimet në Perëndim se Moska është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.

Kremlini ka thënë se nuk ka plane për pushtim. Më 15 shkurt, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se disa trupa të pozicionuara pranë kufirit me Ukrainën, janë kthyer në bazat e tyre, pas përfundimit të stërvitjeve. Kjo ministri shtoi se stërvitjet e shkallës së gjerë në Rusi do të vazhdojnë./rel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here