Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha bashkë me kandidatin e ‘Shtëpisë së Lirisë’ për bashkinë Durrës kanë zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Demokratike në zonën e Shkozetit.
‘Kam një kënaqësi të veçantë kur takoj drejtues dhe anëtarë të strukturave të PD, jo vetëm se jemi në një familje, por sot ne më shumë se kurrë në 30 vite, jemi në mision.
Ne jemi më të fortit dhe të pamposhturit. Të tillë jemi ne sot në misionin tonë, me të cilin 30 vite më parë rrëzuam diktaturën, kurse sot kemi përballë narkoshtetin, i bazuar në krimin dhe drogën që po e shkatërron këtë vend dhe qenien shqiptare.
Ju jeni dëshmitarë se çfarë shprese ngjallët ju me ‘Foltoren’ për tu ngritur në këmbë, si opozitë e vërtetë. Vetëm opozita e vërtetë fiton mbi një regjim, siç është qeveria e Edi Ramës.
Kam kënaqësi të madhe që gjej strukturat e PD, më të vetëdijshme se kurrë për misionin e tyre të jashtëzakonshëm në këtë kohë dhe proces zgjedhor’, tha lideri historik i demokratëve, Sali Berisha në takimin me strukturat e PD.
Gjatë fjalës së tij, kandidati Muka u shpreh se qytetarët do të jenë ata që do vendosin në bashki.
‘Mund të jem një përfaqësues i denjë në bashkinë e Durrësit. Ne të gjithë bashkë do t’ia dalim që më 6 mars, t’ia kthejmë bashkinë qytetarëve. Ka një kryetare bashkie që është manekine, që merr urdhra nga Tirana dhe nga Vangjushi’, tha Ardian Muka, kandidati i ‘Shtëpisë së Lirisë’ për bashkinë e Durrësit.