Ka mjaftuar një deklaratë e Moskës se tensionet do të zgjidhen në rrugë diplomatike, që bursat ndërkombëtare të çtensionohen. Brenda ditës, çmimi i gazit të lëngshëm pësoi një rënie çmimi prej 9,1 pikë përqindjeje.
Ulja e tensioneve të luftës në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë ka sjellë edhe shtensionimin e tregjeve financiare. Çmimi i gazit ka qenë ai që ka lëvizur menjëherë, duke rënë me 9,1 pikë përqindjeje brenda ditës.
Ka qenë deklarata nga pala ruse që thanë se mbështesin zgjidhje diplomatike për tensionet dhe njoftimi se disa prej trupave ushtarake do të kthehen në bazat e tyre, që solli ndikim të menjëhershëm në bursa.
Putini tha të martën se ai shpresonte se negociatat do të zgjidhnin problemin e Ukrainës, pas takimit që pati me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Evropa është një konsumator i madh gazi dhe prodhimesh të tjera që vijnë nga Rusia.
Shefi i Kremlinit siguroi gjermanët dhe evropianët se Moska mbetet një furnizues i besueshëm energjitik. Ka mjaftuar kjo deklaratë që çmimet standarde të gazit të bien me 9.1% brenda ditës.
Për shkak të tensioneve të shtuara në kufi ka pasur një ndalesë në disa tubacione furnizuese, që solli edhe rritje të çmimit. Bursat financiare kanë pësuar luhatje të menjëhershme sapo pati lajëmrime për luftë në frontin ukrainas, ndërsa çmimet e larta prekën produkte të shumta, si nafta, gazi, metalet e deri edhe aksionet nëpër bursa.
Megjithatë, edhe pse Putini është shprehur drejtëpërdrejtë për të vijuar bisedimet diplomatike për zgjidhjen e tensioneve, amerikanët mbeten ende të kujdesshëm.
Presidenti Joe Biden tha se është e mundur që Rusia ta pushtojë Ukrainën, sepse trupat e saj mbeten në një “pozicion kërcënues” në kufi, por se diplomacia duhet të vazhdojë. Moska ka mohuar ndërkaq se planifikon të pushtojë vendin fqinj.