Presidenti Ilir Meta dekretoi emërimin e Arbena Ahmetit, si gjyqtare në Gjykatën e Lartë, të përzgjedhur për t’u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
“Presidenti Meta, pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim që prej datës 26.2.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së, dhe sot përmes Dekretit nr. 13477, datë 16.02.2022, ka vendosur që zonja Arbena Ahmeti emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.