Shumëkujt mund ti jetë dukur e çuditshme sesi ia doli kryeministri Edi Rama që të përputhte orën nga Shqipëria në Uashington. Edhe pse SHBA janë 6 orë pas nesh, kryeministri ia doli të zbardhë natën amerikane me gazetarët që kishte zgjedhur për të marrë me vete, për ta bërë “ditë”. Paraditen e sotme, kryeministri shpërndau përmes opsionit “live” në rrjetet sociale, një përmbledhje nga bisedimet që pati me gazetarët Anila Hoxha, Ergys Gjençaj, Elia Zotka dhe Ermal Qorri duke na shitur “si drejtpërdrejt” një kasetë të gatshme, kësaj here jo me film por me megabyte. Dhe nëse dëshira e një kryeministri për t’ju imponuar opinionit publik është e shfrenuar deri në këtë pikë, shpresë nuk ka nga fronti ku më së paku pritet përballja.
Të gjitha televizionet informative në Shqipëri e shitën edhe më keq se Rama këtë takim. Me njoftimin se Rama po sillte haberet nga Amerika, për gati 30 minuta, aktiviteti i montuar, i prerë dhe filtrosur për tu dukur më i ri, u shfaq në Tv.
Por si arritëm deri këtu?
Tradita “erionveliajne” e shpërndarjes së kasetave të gatshme ka mbi 5 vite që ka shkatërruar redaksitë e lajmeve në Shqipëri dhe kulturën e raportimit me “prekjen” e gazetarit. Ajo që nisi me kaseta që kryebashkiaku i linte gati dhe më pas ia mbathte për të shëtitur nëpër botë, ndërsa qytetarët e shihnin në punë, vazhdoi me video-live, ku kryeministri duke përfituar edhe nga pandemia i zhvillonte komunikimet virtualisht me gazetaët, dhe ka përfunduar tashmë me video të regjistruara që shiten si të drejtpërdrejta, duke kapur njëherë e mirë lirinë e informacionit në Shqipëri. Do të duhet të ishte detyrim gazetaresk, e më pas ligjor, njoftimi i teleshikuesit se kryeministri nuk është zgjuar në orën 05:00 të mëngjesit në Uashington për të informuar popullin e tij, por me nismë të tij dhe të zyrës së tij të shtypit ka filmuar një bisedë me gazetarë që e pyesin dhe ai zgjedh vetë përgjigjet që do të japë dhe ato që do të transmetojë. A është kjo liri? A është kjo cilësi gazetareske? A nuk është ky një nënshtrim i medias që duhet të jetë kurdoherë përballë atij që ka pushtetin? Ku përfunduam kështu?!