Gjykata Kushtetuese (GJK) në Shqipëri rrëzoi vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikes, Ilir Meta, mandati i të cilit përfundon në korrik të këtij viti.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Tiranë u publikua në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës (16.02). Gjykata Kushtetuese ” vendosi shfuqizimin e vendimit të Parlamentit: “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës.” Sipas saj kreu i shtetit nuk ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.
Në qershor të vitit të kaluar Parlamenti votoi pro shkarkimit të Presidentit për “deklarata publike që nxisin dhunën dhe shkelin Kushtetutën”. Ky vendim u rrëzua mbrëmë nga GJK, e cila në tri seanca plenare, të zhvilluara në fillim të këtij muaji, dëgjoi të dyja palët: parlamentin dhe presidencën dhe gjykoi që Presidenti Meta të qëndrojë në detyrë.
Votimi në parlament për shkarkimin e presidentit Meta, 09.06.2021
Të dyja palët në rregull me Kushtetutën!
Procesi gjyqësor në GJK ka rezultuar win-win në raport me Kushtetutën. Si procedurat që ka ndjekur Parlamenti për shkarkimin e kreut të shtetit janë në përputhje me Kushtetutën – nga ana tjetër edhe kreu i shtetit, Presidenti Meta nuk ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.
Një nga pikat më të forta të mbrojtjes së përfaqësuesve ligjorë të kreut të shtetit në GjK ishte pretendimi për shkeljet e rënda proceduriale nga Parlamenti që nga shqyrtimi i nismës ligjore së maxhorancës socialiste për shkarkimin Metës, ngritjes së komisionit hetimor dhe marrjes së vendimit për shkarkim. GJK i hodhi poshtë këto pretendime. Në njoftimin e saj ajo thekson që “duke patur në konsideratë pavarësinë organizative të Parlamentit, konstaton që në tërësi nuk ka shkelje kushtetuese.”
Votimi në parlament për shkarkimin e presidentit Meta
Vetë Presideti Meta, që nuk u paraqit në asnjë nga seancat plenare të GJK ku do të vendosej fati i tij politik, e ka quajtur ”anti kushtetues dhe qesharak” vendimin e Parlamentit për shkarkimin e tij, kur u shpall në qershor të vitit të kaluar.
Argumentimi i Gjykatës Kushtetuese
GJK hodhi poshtë edhe pretendimet e maxhorancës socialiste “për shkelje të rënda të Kushtetutës” nga Presidenti Meta. “Faktet e paraqitura për mesazhe përçarëse, marrje të anës së opozitës gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit të kaluar, për shkelje të rendit dhe sigurisë publike, të betimit si kryetar shteti për të përfaqësuar unitetin e popullit, për cënim të marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, për shkelje të pavarësisisë së organeve publike, të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”, theksohet në njoftimin e GJK./DW/