Anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, Jamarbër Malltezi, në një intervistë me Skype në emisionin Ora 19:00 në Syri TV të moderatores Juli Krisafi, ka komentuar aferën 430 milionë euro të inceneratorëve.
Malltezi theksoi se në këtë aferë është bërë vjedhje masive. Ai shtoi se Rama dhe Basha janë të dy të implikuar, duke vënë në dukje se SPAK duke qenë nën urdhërat e Edi Ramës, nuk guxon t’i thërrasë dhe as hetojë.
“LSI nuk u pranua në Komisionin Hetimor, sepse ka denoncuar. Luan Baçi nuk u pranua në Komision dhe kjo është e turpshme. Alqi Bllako nuk u mor në pyetje në Komision. Besoj kemi grup të strukturuar kriminal që vjedh e së paku ka shpërdorim masiv detyre. SPAK po punon me piceta. SPAK nuk guxon të thërras Edi Ramën, minimum ka shpërdorim detyre. Kujtojmë se për shpërdorim detyre kemi në burg Thoma Gëllçin, kemi kryebashkiakun e Lushnjës. Janë 15 milionë euro pa tender, është kompania e Bashës dhe e Ramës, e kjo e fundit është nën pronësi të Klodian Zotos.
Rama dhe Basha po vjedhin pa tender fare. Vjedhja është masive e nuk ndihet as Komisioni e as SPAK. Është aferë ku është përfshirë Basha dhe Rama, janë të dy bashkë. 15 milionë euro pa tender është çmenduri, sepse ligji e ka se për një shumë kaq të madhe, duhet tender i hapur ndërkombëtar. E pakta është shpërdorim detyre, nuk kanë thirrur Luan Baçin dhe as LSI-në. SPAK e Komisioni duket se janë të kapur. SPAK është kapur nga Rama e nuk guxon të thërrasë e hetojë.
Që ka shkelje këtë e kupton edhe një student i vitit të tretë në Juridik. SPAK po bën ballo me maska. Zoto ka hotel të madh në mes të Tiranës dhe ka zyra te Sky Touer, ku është pare teksa hyn edhe Arben Ahmetaj. Lefter Koka ka pasur aferë 1 përqind sa këta e u kap e këta nuk kapen. Këtu koka është Rama, Alqi Bllako është përfshirë deri në fyt, babai i tij noton në para e vëllai i tij, me paratë e inceneratorëve blejnë të gjitha mediat. Syri TV nuk ka pranuar para të koncensioneve dhe për këtë keni respektin e gjithë qytetarëve”, deklaroi Malltezi.