Nga profesor Artan Fuga
Komisioni parlamentar hetimor për aferën e incineratorëve të mos rrëshkasë përtej kuadrit kushtetues!
—————————————
Afera e inceneratorëve, nga sa kam mësuar nga raportimet në media dhe sa ka rrjedhur informacion nga hetimet e drejtësisë, tregon se deri në çfarë mase abuzohet në shoqërinë shqiptare me paranë publike. Dhe kjo në dy kuptime:
Paguajmë qimet e kokës për shërbime të pabëra.
“Tenderat” u “falin” pasuritë kombëtare disa individëve, të cilët sigurisht përfitojnë sepse ata nuk janë veçse tebdilë për të fshehur vjedhjet, grabitjet, pasurimin e njerërzve të veshur me pushtet.
Ne si qytetarë nuk kemi nevojë t’a shpikim rrotën, as ta rizbulojmë Amerikën pas Kolombit sepse si vidhemi ne kjo duket te jeta jonë në zgrip të varfërisë dhe te vilat, makinat lluksoze, pronat, llogaritë bankare të pushtetarëve dhe të politikanëve të gjitha ngjyrave!
Krijimi i kompanive që dalin si këpudha pas shiut dhe që marrin paranë publike duke i kaluar milionat e eurove sa nga njera dorë te tjetra, gjoja për të ndërtuar rrugë, sheshe, kanale, landfille, etj., doli në pah edhe nga hetimet e SPAK së fundi lidhur me incineratorët!
Përse atëhere mua më duket një lojë teatrale, një teatër komik kukullash, një hedhje hi sysh neve qytetarëve, kjo loja e fundit e shpikur me komision parlamentar hetimi për aferën e incineratorëve?
Cfarë dreqin kam unë me atë komision, kur mund të supozoja që kushdo që heton, pra edhe ca deputetë dhe deputete të hetojnë, keq nuk bën? Thonë se edhe dy të rrahura nuk bëjnë keq, jo më dy hetime, nga njëra anë SPAK dhe nga ana tjetër ky komisioni parlamentar?
Cfarë dreqin kam që kam që kruhem me këtë komisionin?
Po, kam arsyet e mia që po i ndaj këtu me ju!
E para sepse te ky komision dhe mënyra si po vepron ai, si po paraqitet funksioni i tij nga zonja që e kryeson, deputetja Tabaku, shoh frikshëm të veprojë pikërisht katrahura më e madhe nga vuan shqiptari i sotëm, shfaqet goditja e madhe që ka marrë pas shpine demokracia shqiptare, manifestohet hipokrizia nga e cila ka vuajtur dhe vuan parimi i parë i funksionimit të shtetit të së drejtës : Shkatërrimi i ndarjes së pushteteve.
Në atë komision unë shoh sesi bashkohet drejtuesi i partisë politike, me statusin si deputet, me mediat, dhe së fundi sesi partitë politike, deputetët, organet e hetimit, mediat, bashkohen në një! Pikërisht ky bashkim fatal na ka bërë që ne si qytetarë të mos kemi shtetin ligjor që duam! Kuvendi, deputetët, partitë politike, mediat, organet e drejtësisë bëhen tok, pra marrin të gjitha funksionet, dhe hetojnë një çështje!
Le ta gjykojnë edhe drejt, le të gjykojnë edhe një çështje të rëndësishme, bashkimi i të gjitha pushteteve në një, është i frikshëm sikurse e realizon gjithë ditën partia që ka shumicën në Kuvend, pra partia e Edi Ramës, ashtu kur atë e pranon si një patate të nxehtë, si kurth, a me dëshirë edhe partia e Lulzim Bashës, apo çdo grup tjetër politik që të jetë.
Së dyti, them se pjesën dërmuese të fajit e ka vetë ligji për komisionet parlamentare, të cilin çdo gjykatë kushtetuese e ndershme do ta kishte nxjerrë për dere përjashta si një shpullë e përditshme që i jepet shtetit të së drejtës dhe si thikë pas shpine çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Ai ligj shprehet se komisionet parlamentare mund të krijohen për cdo çështje, lexojeni mirë: për çdo çështje, dhe pavarësisht se thuhet që ato komisione nuk mund të zëvendësojnë gjykatat, ato mund të thërrasin forcërisht para tyre cdo njeri!!!
Dëgjojeni dhe lexojeni mirë! Deputetët mund të vendosin që të hetojnë çdo çështje të veçantë pa kufizim mjafton të bien dakord me njeri tjetrin, dhe bie fjala të na hetojnë si qytetarë për cdo çështje dhe të marrin dëshmitë tona duke na thirrur forcërisht, pra me policë atje!!!
Ligja në fjalë e ka pasur oreksin e madh! Ajo i jep deputetëve fuqi pikërisht për të vepruar si gjykatë, madje duke përdorur edhe forcën për të na çuar të deponojmë a dëshmojmë atje!!!
Kur qytetari thirret në polici a në prokurori ai ka të drejtën e marrjes të avokatit! Ai ka të drejtën të pyetet nga hetues dhe prokurorë që janë profesionistë në fushën e tyre. Japin llogari përpara ligjit për respektin e procedurave. Kanë afate dhe kompetenca të kufizuara me ligj për afatet, ruajtjen e sekretit të hetimit dhe mbi të gjitha kanë të drejtën për të kërkuar largimin e prokurorit ose personit që heton nëse ai konflikt interesi që e bën të mos jetë i paanshëm në hetim!
Këto ne si qytetarë në komisionet parlamentare hetimore nuk i kemi. Rezultatet e hetimit për incineratorët, i kam parë të dalin në media dhe me anë të tyre ka pasur raste që janë përdorur për të intimiduar persona dhe institucione pa asnjë lidhje me hetimet që po bëhen! Kush e mban përgjegjësinë ligjore për këto shkarje ?
Së treti një çudi e madhe të trondit! Edhe themi se kemi bërë reformën e madhe në drejtësi, kemi kompletuar SPAK-un, edhe dimë se çështja po hetohet nga SPAK, edhe shohim se në rrugë paralele komisioni hetimor parlamentar bën sikur heton të njejtën gjë! Unë nuk e di sesa dëshmitë para tij në fakt mund të shërbejnë për ta diskredituar, bërë presione, ndikuar subjektivisht në mënyrë partiake, vetë hetimin që bën organi i drejtësisë. Por, kuptohet që ky i fundit dukshëm ndodhet nën presionin politizues të dy forcave politike.
Si është e mundur që tribuna e këtij komisioni ose antarë të tij përdoren për fushata politike tani në prag të zgjedhjeve?
Dikush mund të pyesi : Atëhere nuk paskan të drejtë deputetë të ngrejnë komisione parlamentare hetimore?
Sigurisht kanë. Por, nuk ka sens që në mënyrë diletante të kërkohet dëshmi nga persona për fakte që janë në dokumente që cdo kush mund t’i verifikojë, sikurse janë vendime të këshillit të ministrave, pagesa, rregjistra të kompanive, pagesa, etj. Duket sikur çfarë zbulohet, kur ato janë të zbuluara!
Së katërti, nëse partitë që përfaqësohen në atë komision duan të ndihmojnë SPAK le ta bëjnë sikurse Monika Kryemadhi që në emër të LSI çfarë zbuloi, dosjen e çoi në SPAK. Kaq. Dhe pret organin e specializuar të veprojë duke qendruar vigjilente dhe kërkuar llogari.
Shfaqjet komike ku merren dëshmi për të dhëna që janë të dokumentuara nuk kanë asnjë vlerë, veç si fushatë politike elektorale ose si një përpjekje për të rikuperuar një reputacion opozitar të bjerrur keqazi.
Vërtet ligja i jep të drejtën komisioneve parlamentare të hetojnë çdo çështje, por së pesti, kjo duhet kuptuar si hetim i çështjeve nga pikëpamja e kompetencave që ka Kuvendi dhe jo sikurse he ton operativi i lagjes i shërbimeve të policisë. Komisioni parlamentar hetimor të shohë pak ligjet dhe boshlliqet në to që u lejojnë hajdutëve të bëjnë kërdinë me të mirën publike! Të shohë dhe hetojë mbledhjet e qeverisë ku merren vendime dhe diskutimet e antarëve të qeverisë! Të marrë nën hetim persona që kanë statuse juridike që kontrollohen nga Kuvendi! Të ushtrojë presion dhe të marrë në shqyrtim edhe organet e drejtësisë lidhur me atë sesi po ecin hetimet. Të hetojë deputetë të veçantë se çfarë lidhjesh kanë me aferën e incineratorëve. Pra, të shohë këndin e vet pa paralelizuar organet e drejtësisë.
Sepse po rrëshkiti në një dëshirë për lojë teatrale, për vullnet për pushtet, a për rikuperim reputacioni politik atëhere shkatërron përfundimisht ndarjen e pushteteve, intimidon organet e drejtësisë, dhe mbi të gjitha na kërcënon neve qytetarëve me nëpërkëmbje të drejtave tona qytetare edhe atëhere kur midis nesh ka fajtorë që duhet të shkojnë para ligjit!
Por presioni ndaj SPAK, ngado që të vijë, kur i thuhet indirekt : qendro te persona të veçantë dhe jo më tej! ose sikundër : arresto sepse kështu mendoj unë! nuk i shërbejnë ndarjes së pushteteve!
Më ngjajnë sikur komisarët e jashtëzakonshëm në kohën e revolucionit rus, të kohëve të kontrollit punëtor e fshatar, apo të zbulimit të sabotatorëve në naftë, janë kthyer me pushtete të pakufijëshme!
Në atë kohë tmerri ishte sa nga sabotatorët, por edhe më shumë nga komisarët e jashtëzakonshëm që merrnin nëpër këmbë çdo pavarësi dhe kufizim midis politikës, partisë, organit ligjëvënës, organeve të drejtësisë!
Atëhere ishte tragjedi, sot është komedi!
Komisioni parlamentar hetimor të hetojë qeverinë, të hetojë vkm dhe ligjet, të kontrollojë funksionimin e SPAK, mos bëjë sikur zbulon të dhëna që gjithkush po t’i vihet i gjen, apo të vetëpromovohet meqë sikundër thuhet meqë paska marrë dëshmi të tipit : as unë nuk diç si kam paguar 23 milionë euro!
89
11 komente
Pëlqej
Komento
Ndaj