Lideri historik i PD, Sali Berisha dhe kandidati i koalicionit opozitar ‘Shtëpia e Lirisë’ për bashkinë e Durrësit, Ardian Muka takuan këtë pasdite banorët e Shkozetit.
Berisha kërkoi votën për Mukën duke iu bërë thirrje qytetarëve se në 6 mars nuk do të votojnë vetëm për kryetarin e bashkisë, por edhe për të përcjellë mesazhin e ndryshimit për të gjithë vendin.
“Këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm se ju zgjidhni qytetarin tuaj të parë, por ju votoni për mbarë shqiptarët të cilët presin nga Durrësi, Shkodra, Lushnja, Peshkopia, Vora dhe Rrogozhina, mesazhin e shpresës, mesazhin e ndryshimit, në mënyrë që t’i thuhet ndal kësaj rrokullisje të frikshme të Shqipërisë nga një regjim që çdo gjë bën për pasurimin e tij, që nuk përfill asnjë interes, nuk përfill asnjë nevojë të qytetarëve, i cili vetëm në një aferë ka fituar, ka përvetuar 430 mln euro.