Forcat operacionale kanë kryer mbrëmjen e djeshme disa kontrolle në zonën e ish-Kënetës në Durrës, në lokale dhe biznese të tjera, përfshirë një bilardo.
Pronarët e këtyre bizneseve pretendojnë se kontrollet janë kryer nën presionin politik, pasi ata kanë qenë pjesë e takimeve të kandidatit për kryetar Bashkie, Ardian Muka, përfaqësues i koalicioni “Shtëpia e lirisë”.
Në videot e siguruara nga Fax News, pronarët e bizneseve iu kërkojnë forcave operacionale që të paraqesin urdhërin e kontrollit, gjë e cila nuk iu jepet.
Qytetarët pretendojnë po ashtu se policia ka dhunuar një prej klientëve në lokal, i cili shihet me shenja në qafë.
“Unë e kuptoj se pse keni ardhur, unë nuk jam duke gjuajtur në grusht juve, dhe as me armë, une e di se pse keni ardhur ju këtu, o zotëri unë dua një urdhër kontrolli. Nëse keni ardhur privatisht, atëherë vazhdoni dhe grabisni.
Më jepni një urdhër kontrolli, jam 200 mijë euro borxh, nuk më trembni dot o shokë, ose më jepni urdhër kontrolli ose më çoni në burg. E prisja këtë gjë se isha pjesë e një mitingu”, shprehet në video një prej pronarëve të biznesit.
“Vërini flakën më mirë, nuk më trembni dot, ose më jepni urdhër kontrolli ose më vrisni krejt”.
“Nëse jeni burra na vrisni, jemi në gjak pastaj. Më kanë marrë forcërisht, më kanë fshi dhe videon, këta nuk e dinë se unë e kam zemrën e çarë. Burra me armë këta, o xhaxh merr avokatin q ëtë vijë këtu direkt. Ore të kontrollojë…”.
“Gjak çuni i huaj poshtë, i kanë ra”.
“Me rop shpije më ka ra, u ula dhe ju binda çfarë më tha polici”.
Gjatë ditës së djeshme i pranishëm në zonën e ish-Kënetës ka qenë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhe sipas biznesmenëve e gjitha kjo bëhet për shkak se ata kanë qenë të pranishëm në mitingun e thirrur prej tij, ku u prezantua kandidati Muka.