Nga Shkozeti i Durrësit ku takoi banorët, i shoqëruar nga kandidati për kryetar bashkie, Ardian Muka, lideri historik i PD, Sali Berisha përcolli mesazhe të forta për zgjedhjet e 6 marsit.
Berisha u shpreh se kandidatja socialist Emirjana Sako bëri gabim që kandidoi për kryetare bashkie të Durrësit, duke i kujtuar asaj përgjegjësit që ka për tragjedinë e tërmetit të 2019-ës dhe aferën e inceneratorëve.
“Sot unë vij këtu për Ardi Mukën, nuk krahasohet me asnjë kandidat tjetër. Zonja Sako ka gabuar rëndë që ka kandiduar. Sepse ajo ka disa hesape morale në kuptimin e firmave që ka vendosur si kryeeksperte për ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i shtatorit. Janë ato ndërtesa këtu në Durrës që kanë firmën e saj, morën gjithë ato jetë njerëzish. Kjo dosje është në Prokurori. Prokuroria e Edi Ramës edhe mund ta mbyllë atë, por shpirtrat e atyre që s’janbë më, bëjnë thirrje për drejtësi dhe ata unk gjejnë paqe nëse zyrtarët që neglizhuan, që u treguan të papërgjegjshëm, nuk vendosen para ligjit.
Lideri historik i demokratëve komentoi edhe kandidatin e Lulzim Bashës në këto zgjedhje.
Berisha tha se Luan Hoti është vëllai siamez i Vilma Nushit, të dy ata kanë koncesione monopol në kundërshtim me ligjin, që ua ka dhënë Edi Rama.
“Kandidon edhe kandidati i Lul Bravës. Luan, shihi këta burra dhe gra këtu. Ti je larg vite dritë prej tyre, ti je monopolist i Edi Ramës, ti je vëlla siamez me Vilma Nushin e cila ka monopolin e check up, kemi 8 vjet që luftojmë monopolin e check up të Vilma Nushit, bashkëshortes së kushëririt të Edi Ramës dhe tashmë këtu na del Luani, me monopolin e porteve nga Saranda në Shëngjin. Luan ti je shumë më afër me Vilma Nushin, ndrikull Nushin, se sa me çdo qytetar tjetër të Durrësit, socialist, demokrat i paparti, çfarëdo qoftë ai. Monopoli është i ndaluar me ligj, është antikonkurrencë“, theksoi Berisha.