Kryeministri Edi Rama deklaroi në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve se ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani nuk u largua nga detyra se nuk dha miratimin për ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve.
Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës duke thënë me ironi se nëse qeveria do të ishte grupi i strukturuar kriminal atëherë Shkëlqim Cani do ta bënte me një këmbë dhe do largohej.
“Nuk ka nevojë ta bëni këtë gjë. Pse duhet të merrni të tjerët dhe t’i vini në gojë fjalët tuaja. Ajo është detyra e Ministrisë së Financave. Ministrat e Financave janë njerëz të çuditshëm. Unë kam qenë shumë partizan i këtij komisioni që njerëzit ta marrin vesh se 430 milonë euroshi nuk ekziston.
Ju i thatë Shkëlqim Canit kur ishte këtu profesor i nderuar, kur ishte ministër nuk latë gjë pa i thënë. Unë e di që dhe unë do bëhem i nderuar kur mos të jem në detyrë.
Si ndodh që Ministri i Financave kundërshton? Si ndodh që kundërshtimi i tij merret parasysh dhe rregullohen gjërat? Normal për këtë punë jemi ne.
Nuk ka pasur organizatë të strukturuar se po të kishte organizatë të strukturuar do t’i thoshim Shkëlqim Canit: “Nuk e bën ti këtë? Do ta bësh se s’bën, do ta bësh me një këmbë dhe do ikësh fare, se ti di i si i bëjmë ne kriminelët gjërat”. Po s’ka pas grup të strukturuar kriminal.
Ka raste, si rasti i Bodes kur i shkon kërkesa që të na japësh dritën jeshile që qeveria ta provojë një koncesion 23 milionë euro. Qeveria as që merr parasysh Boden dhe i fut një të aprovuar, imagjinoni sikur kjo të kishte ndodhur me qeverinë tonë, që ai të thoshte jo, e ne të thoshim po. Profesori i nderuar Shkëlqim Cani, nuk është larguar për këtë arsye”, tha Rama.