Presidenti Meta vlerëson portierin e spikatur durrsak Vladimir Ajazaj (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i Madh”

0
112

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”,  portierin e spikatur durrsak Vladimir Ajazaj (pas vdekjes): “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe rezultatet e larta në futboll, si portier i spikatur te ‘Shkëndija’, ‘Lokomotiva’ e Durrësit dhe ekipet tona kombëtare. Me mirënjohje për mjeshtërinë e tij të treguar gjatë veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare si trajner i përkushtuar në zhvillimin cilësor të futbollit, duke spikatur si një figurë e dashur dhe e respektuar nga mbarë opinioni sportiv shqiptar.

 Në fjalën e Tij gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në qytetin e Durrësit, Presidenti i Republikës, duke iu drejtuar familjarëve dhe kolegëve të pranishëm, u shpreh:

“Sot, me rastin e ditëlindjes, nderojmë sportistin që dha gjithçka për futbollin durrsak dhe kombëtar, mësuesin e adhuruar të fëmijëve që i edukoi me dashurinë për sportin, si edhe trajnerin e palodhur që frymëzoi aq shumë fëmijë dhe të rinj t’i përkushtohen futbollit, të paharruarin Vladimir Ajazaj, portierin e suksesshëm të “Shkëndijës”, “Lokomotivës” dhe Ekipeve Kombëtare. Ai i takon atij brezi të artë futbollistësh durrsakë të viteve ’70-’80, duke mbetur një nga personalitetet më të dashur dhe popullorë për sportdashësit e Durrësit, por edhe për të gjithë sportdashësit tanë.

Karrierën e tij sportive, ai e nisi në vitin 1968, si pjesë e grupit të parë të Shkollës së Mjeshtërisë Sportive, duke ruajtur për disa vite portën e ‘Shkëndijës’ së famshme në fillimet e viteve ‘70-të. Më pas ai u rikthye në qytetin e Durrësit, ku mbrojti për shumë vite portën e ‘Lokomotivës’, duke u bërë shembulli më i mirë frymëzues për pasardhësit e tij në portën durrsake.

Vladimir Ajazaj ka qenë gjithashtu pjesë e stafit teknik të Kombëtares, në krah të djathtë të trajnerit gjerman Hans-Peter Brigel. Ai ka qenë dhe mbetet padiskutim një personalitet i futbollit durrsak dhe atij kombëtar, i njohur dhe i vlerësuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Shembulli dhe arritjet i tij janë një burim frymëzimi për të gjithë sportistët e trajnerët e rinj, për të ndjekur një rrugë të sukseshme.

Përfitoj nga rasti, për të përshëndetur familjen e nderuar Ajazaj, që me gjithë dhimbjen e thellë që kanë kaluar, janë krenarë, për atë që Vladimiri bëri për futbollin e qytetit të Durrësit dhe futbollin shqiptar. Një mirënjohje të sinqertë i përcjell miqve dhe kolegëve të tij, të cilët kanë arritur rezultate shumë të larta, dhe besoj se ata do të vazhdojnë të frymëzojnë më të rinjtë në mënyrë që me pasion dhe përkushtim, ‘Teuta’ e sotme, të jetë një skuadër gjithmonë dinjitoze dhe të arrijë suksese të reja në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ që i akordojmë sot Vladimir Ajazaj është një vlerësim jo vetëm i punës dhe sakrificave të tij të jashtëzakonshme si futbollist e si trajner, por edhe një rast i ri për ta nderuar atë brez të artë të ‘Lokomotivës’ me Himën, me Leshtenin, me Niko Janin dhe Gim Çelën, me Kapedanin dhe Bashkim Kokën, me Ed Zallën dhe Likmetën, me Bulkun, Filjarin, Mond Mihaj, Tur Lekbellon apo Ballgjinët e të tjerë, trajnerin Petraq Konomi dhe shumë trajnerë të tjerë, të cilët kam pasur fatin edhe vetë që t’i shoh në fushën e blertë.

 

Kur vjen një moment i tillë për të kujtuar një legjendë të portës së Durrësit, ndërkohë që ne e dimë se ka qenë një periudhë e artë në përgjithësi si për futbollin tonë, ashtu edhe për portën shqiptare, sigurisht që jemi të gjithë shumë të bindur se artistët dhe sportistët kanë një avantazh, sepse ata prodhojnë emocione që jetojnë gjithmonë me ne siç do të jetojë gjithmonë edhe vepra dhe trashëgimia sportive e Vladimir Ajazaj.”

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here