Gjermania ka vendosur të furnizojë me armë Ukrainën. Në drejtim të vendit të pushtuar nga Rusia, do të dërgohen 1000 armë antitank dhe 500 raketa tokë-ajër. Kjo është konfirmuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Pushtimi rus i Ukrainës shënon një pikë kthese. Është detyra jonë të bëjmë më të mirën për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen kundër ushtrisë pushtuese të Putinit”, shkroi Scholz në Tëitter.
Përveç kësaj, ministria gjermane e ekonomisë dhe klimës tha se Gjermania po lejon Holandën të dërgojë 400 armë antitank të prodhimit gjerman në Ukrainë. Gjermania do të dërgojë gjithashtu 14 automjete të blinduara dhe deri në 10,000 ton karburant në Ukrainë.
Masa konfirmon një ndryshim në politikë pasi Gjermania u përball me kritika për refuzimin e dërgimit të armëve në Kiev, ndryshe nga aleatët e tjerë perëndimorë.
“Miratimi është konfirmuar nga Kancelaria,” tha të shtunën një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes.
Gjermania ka pasur një politikë të gjatë të mos eksportimit të armëve në zonat e luftës, e rrënjosur pjesërisht në historinë e saj të përgjakshme të shekullit të 20-të, me Luftën e II Botërore.
Gjermania ka miratuar gjithashtu transferimin e 14 automjeteve të blinduara për Ukrainën.
Automjetet do t’i dorëzohen shërbimeve ukrainase dhe ‘do të shërbejnë për mbrojtjen e personelit, ndoshta për qëllime evakuimi’, tha një burim.
Kujtojmë se në fund të janarit, Gjermania i ofroi Ukrainës 5 mijë helmeta ushtarake, që u cilësuan si një shaka nga zyrtarët atje.