Tirana e kthyer në kantier ndërtimi, tjetër rekord i sipërfaqes së lejeve, rreth 470 mln euro

0
142

Ndërtimet pa limit në Tiranë vazhdojnë të shtohen dhe mesa duket ky process do të vazhdojë deri në të ardhmen afatmesme.

Të dhënat e publikuara sot nga INSTAT për lejet e ndërtimit në vend treguan se sipërfaqja e dhënë për lejet ndërtimi në kryeqytet për gjithë vitin 2021 arriti në 1.65 milionë metra katror, duke shënuar nivelin më të lartë të paktën që nga viti 2010, kur raportohen të dhënat.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, sipërfaqja e dhënë për leje është rritur me 47% teksa në vitin 2020 u vu re një frenim i lejeve të dhëna për shkak të kufizimeve të krijuara nga pandemia.

Në raport me vitin 2019, kur ishte shënuar rekordi i ri i dekadës së fundit, sipërfaqja e lejeve është rritur me 17%. Ndërsa në raport me 2015-n, viti kur u dhanë më pak leje, sipërfaqja është 7.4 fishuar. Pas 2015-n, Bashkia është treguar “dorëlëshuar” me ndërtuesit, siç duhet dhe në grafikun: “Sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në Tiranë (m2), 2010-2021”.

Sipërfaqja e dhënë në Tiranë për vitin 2021 është sa 71% e totalit të dhënë për gjithë Shqipërinë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë sipërfaqen totale të lejeve të dhëna për ndërtim, ndërsa mbi 70% e saj është për banesa. Në 2021 treguesi është ndikuar dhe nga rindërtimi pas tërmetit.

Sipas INSTAT, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në kryeqytet është rreth 470 milionë euro. Një vit më parë, kjo vlerë ishte 327 milionë euro.

Shqipëria

Sipas INSTAT, Tiranë, më 28 Shkurt 2022: Në tremujorin e katërt 2021 janë miratuar gjithsej 356 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 306 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2020, duke shënuar një rritje prej 16,3%.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2021, është 608.870 m2, nga 554.325 m2 miratuar në tremujorin e katërt 2020, duke shënuar një rritje prej 9,8%.

Në tremujorin e katërt 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 27,0 miliardë lekë, nga 28,9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2020, duke shënuar një rënie prej 6,4%.

Gjatë vitit 2021, janë miratuar gjithsej 1.396 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 961 leje të miratuara në vitin 2020, duke shënuar një rritje prej 45,3%.

Gjatë vitit 2021, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 2.316.709 m2, nga

1.608.211 m2 miratuar në vitin 2020, duke shënuar një rritje prej 44,1%. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 99,2 miliardë lekë në vitin 2021, nga 76,6 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2020, duke shënuar një rritje prej 29,6%.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here