Kievi i mbijetoi një tjetër nate me luftime. Ndërkohë trupat e Putinit janë të demoralizuara dhe kanë pësuar humbje të mëdha, tha një komandant ukrainas.
Sipas gjeneral kolonelit Alexander Syrsky, që është përgjegjës për mbrojtjen e qytetit, çdo përpjekje për të thyer qytetin ka dështuar.
“Situata është nën kontroll. Ne po tregojmë se jemi të aftë të mbrojmë shtëpinë tonë nga miqtë e paftuar,” tha ai.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se të paktën 5300 ushtarë rusë kanë humbur jetën, edhe pse ky numër është i paverifikuar.
Kurse Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pranuar për herë të parë se ka pësuar humbje, por nuk po tregon shifrat.
Mëngjesin e të hënës, Rusia ftoi të gjithë qytetarët të largohen nga Kievi, duke thënë se ka hapur një korridor të sigurt. Kjo ka shtuar frikën se bombardimet do të shtohen.