Ministrat e Energjisë të BE-së duan të çlirojnë Ukrainën nga varësia energjetike nga Rusia. Edhe vetë BE-ja dëshiron ta shkëputet sa më shpejt të jetë e mundur nga gazi dhe nafta ruse.
Papritur gjithçka po ndodh shumë shpejt në Bruksel. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës bën të mundura marrjen e disa vendimeve brenda disa orësh, ndërkohë që pa luftë do të nevojiteshin muaj të tërë për miratimin e tyre.
“Nuk kemi kohë për procedura burokratike në luftë”, vuri në dukje shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ministrat e Energjisë vendosën papritur në një takim të shpejtë emergjence në Bruksel që ta përfshijnë Ukrainën në Rrjetin Evropian të Energjisë Elektrike. Ukraina duhet të shkëputet nga rrjeti i përbashkët me Rusinë dhe Bjellorusinë sa më shpejt të jetë e mundur. Përpjekjet e para teknike për ta bërë këtë kishin nisur qysh përpara sulmit rus.
Tani do të ketë një kyçje emergjente me disa hapa. Nga këndvështrimi i Komisioneres së BE-së për energjinë, Kadri Simson, nuk ka zgjidhje tjetër.
Furnizimi i BE-së duhet të mbetet i sigurt
Shoqatat e operatorëve evropianë të rrjeteve dhe autoriteteve mbikëqyrëse në BE tani duhet të shqyrtojnë brenda pak ditësh
sesi mund të lidhet rrjeti energjetik evropian me Ukrainën, e cila e përfton pjesën më të madhe të energjisë së saj elektrike nga katër reaktorë bërthamorë. Në fund të fundit, bëhet fjalë për rreth 40 milionë konsumatorë të rinj.