Nga Gëzim Saliu
Në 6 Mars zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki të vendit, përkatësisht Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje. Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të këtyre bashkive, dhe jo vetëm, mund ta cilësojnë këtë garë si pa ndonjë rëndësi specifike, pasi kryetarët e rinj që do zgjidhen do e mbajnë detyrën vetëm për 1 vit, në fakt e kundërta është e vërtetë.
Në 6 Mars nuk është thjesht një garë në gjashtë njësi vendore pasi në këto zgjedhje ka rëndësi parësore vota si mesazh. Në 6 Mars, ndryshe nga 8 vitet e fundit ku gara ka qenë eskluzivitet i dyshes Rama-Basha, dhe të tjerët thjesht kanë qenë aktorë të këtij mekanizimi okult bashkëpunimi, konkuron edhe koalicioni “Shtëpia e Lirisë”. Ky i fundit vjen në këto zgjedhje nën kryesimin e liderit historik Sali Berisha dhe pas një procesi tejet demokratik brenda rradhëve. Duke nisur nga Kuvendi i 11 Dhjetorit me votimin e statusit të ri e më pas referendumin risi të 18 dhjetorit e në fund primaret për zgjedhjet e kandidatëve.
Berisha po sjell në këto zgjedhje anti-modelin Basha.
Të gjitha ato që Basha nuk mundi ose nuk deshi t’i realizonte në detyrën e tij si kryeopozitar, Berisha po i bën të mundura në zgjedhjet e 6 marsit. Po sjell një fushatë ballore e pa pazare me kundërshtarn politik, duke i dhënë mesazhin shqiptarëve se vota e tyre nuk do të tradhëtohet sic ka ndodhur me parë me Bashën.
Po ashtu koalicioni “Shtëpia e Lirisë” vjen në këto zgjedhje me kandidatë të zgjedhur nga vetë anëtarësia e PD-së. Të 6 kandidatët e këitj koalicioni nuk u zgjodhën as nga Sali Berisha e as nga Komisioni i Rithemelimit, që padyshim e kishte tagrin për ta kryer një vendimmarrje të tillë. Por Komisioni dhe Berisha zgjodhën anëtarësinë duke i besuar kësaj të fundit përzgjedhjen e kandidatëve që do garojnë në 6 Mars. Të gjashtë emrat e përzgjedhur përbëjnë identitete thellësisht demokrate e mbi të gjitha të papërlyera me pushtetin.
Bardh Spahia në Bashkinë Shkodër, Elton Bano në Bashkinë Lushnje, Ardian Muka në Bashkinë Durrës, Premtim Kryemadhi në Bashkinë Dibër, Hekuran Xhani në Bashkinë Rrogozhinë dhe Lulzim Vrana në Bashkinë Vorë, janë kandidatët për të cilët jo vetëm Rama dhe batalioni i tij dixhital nuk kanë mundur të gjejnë ‘të meta’ por edhe “çimkat” e grupimit të Bashës nuk kanë shkuar më shumë se akuza bajate të cilat janë hedhur poshtë me lehtësinë më të madhe.
Ndaj dhe përballja e 6 Marsit nuk është thjeshtë një betejë lokale mes Ramës, Bashës e Berishës apo për të përcaktuar se kush është me pozita më të forta në radhët e demokratëve. Përkundrazi në këto zgjedhje, vota e qytetarëve të 6 bashkive do të përkthehet si një mesazh për ndryshimin e vërtetë, ndryshim i cili u tradhëtua në zgjedhjet e 25 prillit.
Qartazi vota e këtyre zgjedhjeve do jetë përcaktuese për vijueshmërinë e betejës reale mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës së vërtetë. Vota do jetë përcaktuese për rivendosjen e pluralizimit politik në vend, në kushtet kur për vite me radhë opozita ka dështuar qëllimisht në çdo kauzë dhe proces zgjedhor, duke sjellë si pasojë mbisundimin e një force politike.
Nëse këto zgjedhje braktisen nga qytetarët, atëherë padyshim Rama do të dalë më i fuqishëm e ndërsa Basha do ketë një pretekst për të vazhduar fallso-opozitën e tij. Në këto kushte, vota e 6 Marsit do të shërbejë si një elektroshok për të zgjuar pjesën tjetër të shoqërisë, e cila ndoshta edhe e tradhëtuar vijueshmërisht nga opozita e këtyre 8 viteve, ka humbur besimin te ndryshimi.