Konsumatorët e mëdhenj të energjisë po bojkotojnë naftën e papërpunuar ruse, pas pushtimit të Ukrainës nga Moska. Kjo lëvizje bëri që të rriten çmimet e naftës mbi 110 dollarë për fuçi të mërkurën. Kërkesa për naftën ruse ka rënë pasi rafineritë, bankat dhe pronarët e anijeve iu shmangën tregut të gjerë të mallrave të vendit. Energy Aspects, një kompani konsulence, tha se 70 për qind e naftës së papërpunuar ruse “po përpiqej të gjente blerës”.
Tregjet e energjisë janë kursyer kryesisht nga sanksionet e vendosura nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe në sektorin financiar të Rusisë, por blerësit tipikë po vetësanksionohen në mënyrë efektive, duke nisur një garë për të siguruar furnizime alternative në një treg tashmë të kufizuar. “Shumica e kompanive kryesore euopiane nuk po tërheqin naftën ruse dhe vetëm disa rafinerë dhe firma tregtare evropiane janë ende në treg, por rritja e tarifave të mallrave dhe primet e sigurimit të luftës po komplikojnë ndjeshëm transaksionet,” tha Energy Aspects.
“Disa pronarë anijesh thuhet se nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë rezervime nga Balltiku ose Deti i Zi për shkak të mungesës së sigurimit të luftës.” Nafta e papërpunuar Brent, treguesi ndërkombëtar i naftës, u rrit me 6 për qind në nivelin më të lartë të tetë viteve mbi 111 dollarë për fuçi të mërkurën, duke u shtrenjtuar këtë javë me pothuajse 10 për qind. Në një sinjal se presioni në mallra nuk kufizohet vetëm tek nafta, çmimet europiane të gazit natyror u rritën me 50 për qind të mërkurën në nivelin më të lartë historik prej 185 euro për megavat orë.
Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck tha të mërkurën se skenari më i keq “ende nuk ishte materializuar” dhe Rusia ishte ende duke dërguar gaz. Por ai shtoi se vendi duhet të përgatitet dhe mund të ketë si alternativë rezervë përdorimin e termocentraleve me qymyr.
Rusia furnizon rreth 40 për qind të gazit të Europës. Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë pas SHBA-së dhe Arabisë Saudite dhe zakonisht eksporton rreth 7.5 milionë fuçi naftë dhe produkte të tjera energjetike në ditë. Europa është shtëpia më e madhe për naftën bruto ruse, me rreth 53 për qind të saj, sipas ING.
Azia është një tjetër blerës i rëndësishëm, me 39 për qind që shkon në këtë rajon. Nafta ruse e Uraleve është një element kryesor për rafinerët në Evropën veriperëndimore dhe në Mesdhe. Blerësit përfshijnë Gjermaninë, Italinë, Holandën, Poloninë, Finlandën, Lituaninë, Greqinë, Rumaninë, Turqinë dhe Bullgarinë, sipas S&P Global Platts. Megjithatë, një numër rafinerësh europianë, duke përfshirë Neste të Finlandës dhe Preem të Suedisë, tani po largohen nga markat ruse dhe po kërkojnë furnizime diku tjetër.
Të martën, SHBA-ja dhe vendet e tjera të mëdha konsumuese të energjisë ranë dakord të hedhin në treg 60 milionë fuçi naftë nga rezervat e tyre emergjente për të zbutur frikën për ndërprerjen e furnizimeve ruse. Megjithatë, tregtarët dhe analistët thanë se masa ishte shumë më e ulët se nivelet e nevojshme, që duhen për të qetësuar tregun. “Ky veprim zbehet nga përmasat e jashtëzakonshme të ndërprerjeve të eksportit të Rusisë,” tha Ehsan Khoma, kreu i kërkimit të tregjeve në zhvillim në MUFG. “Duhet kohë për të ribalancuar tregjet e naftës”.
OPEC dhe aleatët e tij, të cilët përfshijnë Rusinë, do të takohen më vonë të mërkurën për të diskutuar nivelet e prodhimit. Megjithë trazirat në tregjet e naftës, karteli pritet të qëndrojë në planin e tij për të rritur prodhimin me 400,000 fuçi në ditë në prill. Mallra të tjera me në qendër Rusinë janë nxitur gjithashtu nga konflikti në Ukrainë me aluminin që arriti në nivele rekord të mërkurën dhe çmimet e grurit në rritje./Financial Times/Monitor/