Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkon dënimin me 1 vit burg për ish zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda.
Sipas SPAK, Voda dyshohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të punësuar Floridn Beun, si dhe përmend rryshfetet që ka marrë.
“Rovena Voda ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të punësuar Florida Beun. Voda mori 1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk për të punësuar Florida Beun“– thotë SPAK.
Po ashtu SPAK kërkon nga 15 muaj burg për Florida Beun dhe Majlinda Hasanin.
Voda akuzohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Megjithatë mbetet e paqartë sesi ka funksionuar skema dhe tek cilët persona ka ndërhyrë Vodo për t’i siguruar vendin e punës, një prej të akuzuarve, por pavarësisht ndërhyrjes dhe pagesës së bërë, emërimi në detyrë nuk është bërë.
Ish-zv.ministrja u hetua nga SPAK për ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ndërkohë që sipas përgjimeve, doli që Voda kishte përfituar 1000 euro, një telefon tip Samsung si dhe një arkë me peshk për të futur në punë një grua në Ministrinë e Brendshme.
Së bashku me Vodën më 13 korrik të këtij viti u arrestuan edhe dy persona të tjerë, pasi ato i kanë ofruar kësaj të fundit përfitimet për pozicionin e punës.