Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike në mbledhjen e dt. 10 mars, pasi analizoi zhvillimet politike si dhe zgjedhjet e pjesshme lokale të zhvilluara në 6 bashkitë e vendit, falënderon kandidatët e Shtepisë së Lirisë dhe të gjithë zgjedhësit e 6 bashkive për garën dinjitoze dhe performancën e mirë në këto zgjedhje lokale!
Në këtë mbledhje, Komisioni i Rithemelimit gjithashtu vendosi:
1. Të zhvillojë me prioritet analizën e rezultateve zgjedhore në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet lokale.
2. Të nisë procesin statutor te riorganizimit të strukturave të degëve në këto bashki, proces i frenuar për shkak të këtyre zgjedhjeve.
3. Të vazhdojë dhe të përmbyllë procesin statutor në degët e tjera konform udhëzimeve.
Për arsyet e sipërpërmendura, në mënyrë që gjithë ky proces të përfundojë me sukses, Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike vendosi të shtyjë mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në dt. 30 prill.