Policia ka penguar studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, që të marshojnë përgjatë rrugës së Durrësit, duke e vijuar në drejtim të Bulevardit.
Studentët janë duke iu afruar ministrisë së Arsimit, ku pritet të jetë edhe destinacioni final i këtij marshimi që ka nisur prej më shumë se një ore.
Në një moment studentët iu kërkuan punonjësve të policisë që ti bashkoheshin protestës së tyre, duke iu kujtuar faktin se edhe ata paguajnë taksa dhe çmime të larta.
“A keni edhe ju fëmijë, a i paguani tarifat si ne?”, ishin pyetjet që studentët i bënë punonjësve të policisë, që padyshim nuk morën përgjigje prej tyre.
Studentët bllokuan për disa minuta nënkalimin te Casa Italia, ndërkohë që e kanë përshkruar në këmbë të gjithë aksin rrugor në drejtim të kryeqytetit.