Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave të qytetarëve mbi rritjen e çmimeve, duke deklaruar se Shqipëria nuk ka kapacitet për të prodhuar vetë naftën dhe për të prodhuar energjinë elektrike në sasinë e duhur.
Sipas tij, protestat janë një turp sepse bëhen në një kohë që situata në botë është delikate, veçanërisht nga Lufta në Ukrainë. Ai shtoi se kush e cilëson atë si hajdut, sipas Ramës, ata janë vetë të tillë.
“Kur fola për krizën e energjisë s’kishte protesta, ku ishte protesta. E konsideroj virtyt që një kryeministër të reagojë kur ka protesta. Nuk është çështje frike. Nëse protestuesit të shpalosin kërkesat, qeveria ka detyrë që të dëgjojë. Unë s’kam asgjë personale me askënd. Kjo protestë është jashtë kontekstit të luftës. Është turp. Mendoj për herë të parë kjo protestë është turp. Këtë ndjesi turpi siç e kam pasur sot nuk e kam pasur kurrë më parë”, u shpreh Rama për News 24.
Z. Rama po kjo po u rëndon xhepat shqiptarëve?
Edi Rama: Vë në diskutim moralin e kësaj maskarade dhe shumë të tjera vë në diskutim. Nuk është e pazakontë që të infiltrohen të tjerë, por edhe ata të tjerë që i sponsorizojnë pas këtyre. Aty nuk janë populli por janë një pjesë. Ajo që është problem është që mohohet që këto janë pasoja të luftës. Këtu kemi të bëjmë me një krizë të madhe energjetike. Tregohen përralla se Shqipëria mund ta prodhojë vetë energjinë, ndërkohë që kur ka edhe reshje të shumta, Shqipëria nuk e prodhon dot. Flitet për naftën që ne i kemi të gjitha vetë, por ndërkohë ne nuk prodhojmë asgjë. Po këto janë sajesa që çorientojnë dynjanë. Pastaj vjedhja, vjedhja. Unë mund të pranoj shumë gjëra, unë nuk mund të pranoj vjedhjen. Kush më thotë hajdut është vetë hajdut, ose hajdut në impotencë.