Ish-deputeti Klevis Balliu akuzon kreun e PD-së se paguhet nga Rama për të mbajtur peng opozitën. Në studion e lajmeve të MCN TV, Balliu tha se Basha nuk jep dorëheqjen pas humbjes së radhës, sepse Rama e paguan për të mbetur pengesë për demokratët që nuk e duan më.
“Hap para hap mbrapa, nuk po kërcejmë tango. 6 marsi provoi që kuvendi i 11 dhjetorit nuk ishte llumi, ishin demokratët. Ato që ne thamë për të, u vërtetuan. Për ata që pretendojnë që Basha të largohet, nuk kanë kuptuar thelbin. Nuk largohet dot, mori një parti me vlera historike dhe logon e asaj partie e çoi në vend të tretë. Cila është arsyeja që ai ngurron? Sepse ai paguhet nga Rama që të humbë dhe të rrijë aty, të mbajë peng logon e PD. Lulzim Basha përfundoi nga politikani perëndimor, te kunati i Erion Isufit. Ai ka marrë 14 kompani për të tradhtuar demokratët. Në exelin e rrogave, Erion Isufi del me 14 rroga. Pra, ky njeri paguhet për këtë punë. Ai po bën detyrën që i ka caktuar Edi Rama dhe kaq. Ai nuk do t’ia djë për PD dhe demokratët, në kurriz të tyre është pasuruar.”
Lidhur me protestat e ditëve të fundit, Balliu tha se Rama nuk do t’ia dalë ta mbajë nën kontroll popullin që po proteston kundër rritjes së çmimeve.
“Qëllimisht Basha donte të shkëpuste vëmendjen nga protesta për t’i dhënë frymë Ramës. E gjithë Shqipëria atë ditë kishte një protestë dhe fokusi duhet të ishte aty. Populli është si ariu në gjumë që nuk e di fuqinë që ka dhe kur çohet përpin përpara gjithçka. Nuk ka fakt më të madh se populli në shesh, e kanë marrë qytetarët udhëheqjen dhe organizimin e kësaj proteste. Fitorja është më e madhe se çmimi i naftës, por për një rikonceptim të politikës në Shqipëri, që kur flet populli duhet të heshtësh.
Çmimi naftës 60% përbëhet nga taksat. Prandaj është aq e lartë shifra. Pse nuk ulen taksat? Kemi vite që flasim për 7.8 miliardë euro dëm shtetit. Borxhi publik është rritur, kemi shpenzime absurde, të gjitha kanë krijuar një gropë që Edi Rama e mbush duke rritur taksa, duke mbitaksuar qytetarët. Për makinën e zotit Rama, shpenzimi në karburant është sa dhjetë X5 bashkë. Nga ana tjetër, Balluku thotë të ecim në këmbë, vetë lëviz me katër makina.
Është tallja që i bëjnë qytetarëve. Thonë le të dalin, do t’i arrestojmë, t’u heqim prindërit nga puna. Ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo kauzë të mbështetet nga të gjithë. Politikanët kanë frikë mediat dhe popullin. Këtë protestë nuk e mban dot nën kontroll. Qytetarët nuk i thirri një parti politike.”