Gjykata e Tiranës, Lezhës, Durrësit, e Dibrës kanë vendosur të lirojnë të gjithë të arrestuarit e protestave të ditëve të fundit të nisura për shkak të rritjes së çmimeve. Sipas kërkesës së prokurorisë, të arrestuarit do të hetohen në masën detyrim paraqitje në deri në përfundim të hetimeve.
Të gjithë të arrestuarit e protestave ne Tiranë janë liruar nga gjykata, për tu hetuar në masën detyrim paraqitje. Vendimi është marrë këtë të diel nga gjyqtarët e masave Gert Hoxha dhe Migena Laska pas kërkesës së bërë nga Prokuroria.
Organi i akuzës ka kërkuar vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe procedimin e te arrestuarve për dy akuza atë të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, dhe bllokim të qarkullimit. Ndërkohë avokatët kërkuan të cilësohej i paligjshëm arresti me argumentin se protesta ishte paqësore, ndërsa Prokuroria nuk kishte prova për fajësinë e tyre.
“Ne i quajmë arrestimet e paligjshme sepse arrestimet janë bërë duke ushtruar dhunë, janë bërë ndaj personave të cilët kanë qenë duke protestuar paqësisht në trotuar. Nuk kemi asnjë të dhënë në lidhje me dhunën e ushtruar nga protestuesit qoftë ndaj institucioneve publike, qoftë ndaj forcave të rendit”, tha avokatja Adriana Kalaja.
Ne total në Tiranë përgjatë katër ditëve janë arrestuar 39 persona ndërsa sips avokates Ardiana Kalaja shumica e të arrestuarve janë studentë dhe nuk kanë kryer asnjë vepër penale më parë.
“Ne paraqitëm para Gjykatës fakte dhe prova se këta persona kurrsesi nuk mund të jenë të dyshuar se mund të kreyjnë një vepër tjetër të ngjashme a[po më të rëndë. Nuk ka ansjë lloj rrezikshmërie që këta të prishin provat”, shtoi Kalaja.
Të njëjtën qëndrim kanë mbajtur edhe gjykatat dhe prokuroritë e rretheve. Gjykata e Lezhës la të lirë 5 personat e arrestuar të premten, ku u bllokua për 60 minuta rruga e kombit në afërsi hyrje të Rrëshenit. Vendimi i gjykatës erdhi pas kërkesës së prokurorisë. Edhe Gjykata e Durrësit liroi dy të arrestuarit gjatë protestave ku u bllokuan hyrja e qytetit dhe autostrada Tirane Durrës. Po kështu edhe Gjykata e Dibrës ka lënë në detyrim paraqitje 5 protestuesit e arrestuar gjatë protestës në Bulqizë ku bllokuan rrugën e Arbrit.