Demokratët e njësisë 8 në Tiranë mbërritën te selia blu ditën e sotme, për të përcjellë një mesazh për median.
Indrit Hoxha foli në emër të demokratëve të njësisë 8, duke deklaruar se kërkojnë largimin e Lulzim Bashës dhe dorëzimin e logosë.
“Lulzim Basha është shkarkuar nga Kuvendi. Detyra e sotme e tij është që të largohet nga zyrat e selisë së PD-së. Të dorëzojë logon e konfiskuar që është marrë peng nga shumë njerëz, jo vetëm Edi Rama. Të hapë rrugën për zgjedhjet në PD sipas standardit një anëtar, një votë.
Bllofet dhe fasadat që po luhen në selinë e PD e dëmtojnë atë. Këta janë anëtarët e njësisë 8, që e kanë shkarkuar Lulzim Bashën dhe kërkojnë hapjen e garës dhe procesit për këdo që kërkon të ballafaqohet me votën e anëtarësisë,” tha Hoxha.
Reagimi i tyre erdhi pasi një ditë më parë, Pëllumb Seferi i kësaj njësie deklaroi mbështetjen ndaj Lulzim Bashës.
Por demokratët thanë se ai nuk i përfaqëson, sikundër nuk i përfaqëson më as Lulzim Basha, pasi është shkarkuar. Demokratët tentuan të futen në seli për të bërë një mbledhje, por nuk u lejuan.
“Vetëm vota i bashkon demokratët,” deklaruan ata.