Nga Erisa Xhixho/
Sot, në Komisionin e Ligjeve dhe Drejtave të Njeriut kërkova të mbahej qëndrim duke dënuar me forcë shkeljen e që po u bëhet këtyre të drejtave në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë, ku Policia e Shtetit dhunon gratë, vajzat, e të rinjtë, pra qytetarët që ushtrojnë të drejtën e tyre për protestuar dhe përballen me trajtime çnjerëzore nga forcat e rendit.
Si komision përgjegjës për monitorimin e drejtave të njeriut, është e turpshme që nuk thuhet një fjalë për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, për shkeljen flagrante të të drejtave të një individi me aftësi ndryshe, i cili është mbajtur katër ditë në komisariat pa bukë, pa ujë dhe pa kushtet minimale.
Në këto kushte, e shoh të domosdoshme përgjigjen para këtij komisionit të drejtorit të Policisë Tiranës, i cili guxon dhe urdhëron vartësit të shmangin dhunën aty ku ka kamera, pra ta ushtrojnë atë pa lënë mbrapa fakte. Për këtë trajtim çnjerëzor të qytetarëve duhet të japë llogari edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe ministri i Brendshëm.
Prej mëse një jave, protestues paqësorë që s’kanë prekur një lule, s’kanë dhunuar një institucion, gjenden përballë dhunës së policisë vetëm sepse ngrenë zërin për padrejtësitë dhe se nuk përballojnë dot koston e jetesës dhe nuk sigurojnë dot bukën e gojës për shkak të rritjes së çmimeve.
Kemi një polici pa shenja identifikuese dhe pa uniformë, që vepron në shkelje të ligjit për Policinë e Shtetit.
Përballë këtij shqetësimi që ngrita sot në komision ishte maxhoranca, e cila kishte merakun e shmangies nga rendi i ditës dhe zhvendosjes së fokusit nga puna e zakonshme e komisionit.
Nëse një shqetësim i tillë nuk ngrihet në këtë komision, atëherë ku tjetër mund të dëgjohet? Nëse maxhoranca refuzon ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre, si në rrugë e sheshe, edhe në institucione, atëherë çfarë shumice përfaqëson ajo?
Nëse sot në këtë mbledhje nuk flasim dot për të drejtat e njeriut, atëherë ky komision nuk e meriton emrin që mban!