Flet për rritje çmimi, por Rama shet energji në krizë, eksportet rriten me 49%

0
134

Statistikat zyrtare tregojnë se Shqipëria ka rritur eksportet e energjisë gjatë muajit që lamë pas, edhe pse qeveria thotë se jemi të rrezikuar nga mungesa e energjisë. Sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave për tregtinë e Jashtme, efektin kryesor në rritjen e eksporteve e ka pasur energjia elektrike dhe karburantet, e ndjekur nga materialet e ndërtimit.

Instituti i Statistikave raporton se vendi ynë ka dyfishuar eksportet e energjisë për dy muajt e parë të vitit në një kohë kur qeveria shprehet se Shqipërisë I kanoset mungesa e energjisë elektrike.

Sipas shifrave zyrtare, eksportet e mallrave për janar shkurtin janë rritur me 49% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Kontributin kryesor e ka patur energjia dhe karburanti me 22.3%, e ndjekur nga materialet e ndërtimit dhe metalet, të cilat janë me rritje 10.6% dhe tekstilet me 6.3 përqind.

Instituti i Statistikave thotë se vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë Italia, Gjermania dhe Kosova.

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë Spanja, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.

Vlera e eksporteve për dy muajt e parë të viti arriti 72.3 miliardë lekë, me një rritje prej 23.3 miliardë lekë në raport me 2 muajt e parë të vitit të kaluar. Ndërsa importet e mallrave arritën 124 miliard lekë.

Por teksa shkëmbimet tregtare janë në përmirësim, defiçiti tregtar është thelluar me 4.6%, si pasojë e shtrenjtimit të produkteve.

Edhe importet janë rritur me 26.7 %, krahasuar me dymujorin e parë të vitit 2021. Efektin më të madh në rritjen e importeve e kanë patur mineralet me 8.4%, ndjekur nga materialet e ndërtimit dhe produktet ushqimore e duhani.

Importet me Ukrainën janë ulur me 13.3% ndërkohë që rënie të importeve ka pasur dhe me SHBA, ndërsa vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë janë Italia, Turqia dhe Kina.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here