Nga trajtimi i vullnetarëve te mjetet luftarake pa pilot/ Gjashtë gjërat që mund të bëjë tani NATO për të ndihmuar Ukrainën

0
137

Nga David A. Deptula, Marc R. DeVore, Emma Salisbury & Michael Hunzeker

“ForeignPolicy”

Lufta brutale e Rusisë në Ukrainë, paraqet një dilemë të madhe për politikë-bërësit perëndimorë. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake rrezikon një përshkallëzim të papranueshëm të konfliktit, veçanërisht për anëtarët e NATO-s.

Por edhe lejimi i agresionit rus kundër një demokracie evropiane do të ketë pasoja shkatërruese afatgjata për popullin ukrainas, sigurinë evropiane, dhe të gjithë konceptin e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Kërcënimi me sanksione ekonomike të mëdha, nuk arriti që ta pengonte sulmin e Rusisë.

As zbatimi i shpejtë dhe gjithëpërfshirës i tyre, nuk duket se do ta detyrojë presidentin rus Vladimir Putin të braktisë fushatën e tij ushtarake. Prandaj NATO duhet të ndërmarrë më shpejtësi veprime që do të ndihmojnë forcat konvencionale të Ukrainës të shmangin humbjen, që i shkaktojnë kosto më të rënda ushtrisë ruse, që forcojnë pozitat e Kievit në tryezën e bisedimeve, dhe që i lënë kohë sanksioneve të japin efektet e tyre.

Mjerisht, opsioni i vendosjes së një zone të ndalim-fluturimit që ka nisur të mbështetet nga disa ish-zyrtarë ushtarakë të rangut të lartë dhe zyrtarëve të qeverive perëndimore, është shumë përshkallëzues, ndaj nuk ka gjasa të funksionojë. Fatmirësisht, NATO ka mundësi të tjera. Ja cilat janë 6 hapat, të cilat ne mendojmë se mund të ndërmarrë aleanca në kushtet aktuale.

1. Trajnimi i vullnetarëve ukrainas, për të përdorur sistemet raketore të lëvizshme

Raketat janë jetike për të penguar sulmet ajrore dhe avancimin e tankeve. Ukraina ka mungesë të ekipeve të trajnuara për t’i përdorur këto armë. Vendet perëndimore mund ta plotësojnë këtë boshllëk duke trajnuar vullnetarët emigrantë ukrainas mbi sistemet raketore të lëvizshme nga njeriu, përpara se të rikthehen në vendlindje për luftuar.

Ashtu siç ka ndodhur me trajnimin që u kanë ofruar tashmë ushtritë perëndimore trupave ukrainase brenda vendit. Në fillim të Luftës së Yom Kipurit të vitit 1973, Izraeli nuk ishte asnjë raketë anti-tank.

Por sapo nisi lufta ambasada e Izraelit në Uashington mobilizoi studentët izraelitë që studionin në universitetet amerikane. Më pas ushtria amerikane i trajnoi sesi të përdornin raketat, dhe kur u dërguan në front shkatërruan shumë tanke armike, përpara se të përfundonte lufta pothuajse dyjavore.

2. Lehtësimi i aktiviteteve kibernetike civile

Grupet e hakerëve civilë, përfshirë grupin e njohur Anonymous, kanë filluar tashmë të synojnë në mënyrë të pavarur Rusinë dhe Bjellorusinë, duke shkatërruar faqet qeveritare të internetit, duke bërë publike dokumente të klasifikuara dhe duke hakeruar mediatshtetërore.

Këto sulme kibernetike janë sigurisht tërheqëse, por nuk kanë gjasa që ato të zbehin shumë fushatën ruse, sepse po ndërmerren nga një komunitet i lidhur me aktivistë kibernetikë që zotërojnë nivele të larta aftësish teknike, por që nuk kanë njohuri kontekstuale për të maksimizuar dëmin e përpjekjeve të tyre.

NATO mund të ndihmojë në plotësimin e këtij boshllëku, duke gjetur mënyra për të “udhëhequr nga prapa”, me synim koordinimin e sulmeve të tilla.

Por aleanca duhet të shmangë bashkëpunimin me grupime hakerash, që në parim ushqejnë ndjenja kundër qeverive. Po ashtu, vendet anëtare të NATO-s duhet të gjejnë mënyrat për t`i mbrojtur hakerat që veprojnë në territorin e tyre nga përgjegjësia ligjore dhe ndjekja penale nga Rusia dhe aleatët e saj.

3. Sigurimi i mjeteve ajrore luftarake pa pilot

Dronët ushtarakë turq “Bayraktar TB2” që përdor sot Ukraina, janë praktikisht e vetmja flotë ajrore me të cilën ky vend po godet me sukses forcat tokësore ruse. Dhe kjo është e jashtëzakonshme duke pasur parasysh fuqinë ajrore që zotëron Rusia.

Duke pasur parasysh se sa të ç’organizuara janë kolonat e blinduara të Rusisë, dhe se sa e dobët po shfaqet mbrojtja e tyre ajrore me rreze të shkurtër veprimi, furnizimi me më shumë dronë dhe municione, mund të bëjë diferencën në ndalimin e linjave të furnizimit dhe ngadalësimin e lëvizjeve ruse.

Çdo depo e furnizimit me karburant apo municione të krijuara nga rusët në tokën ukrainase, mund të jenë gjithashtu objektiva joshëse. Azerbajxhani përdori gjerësisht dronë gjatë luftës së Nagorno–Karabakut të vitit 2020, për të mposhtur ushtrinë armene të stilit rus. Ata shkatërruan sasi të konsiderueshme pajisjesh dhe autokolonash ushtarake armene, duke e çuar përfundimisht ushtrinë armene në një paralizë operacionale.

4. Zëvendësim i shpejtë i avionëve luftarakë ukrainas të humbur në betejë

Forcat Ajrore të Ukrainës kanë treguar një rezistencë të jashtëzakonshme, dhe vazhdojnë t’i mohojnë Rusisë epërsinë ajrore, gjë që e pengon aftësinë e kësaj të fundit për të kryer sulme ajrore dhe për të krijuar ura ajrore për të ri-furnizuar forcat e saj tokësore në vijën e parë të frontit.

Megjithatë, Ukraina po pëson humbje të konsiderueshme, dhe ka të ngjarë të mbetet pa avionë përpara se t’i mbarojnë pilotët. Edhe pse mungojnë të dhënat e sakta, ka raporte se Ukraina ka humbur gati 10 për qind të 100 avionëve luftarakë që kishte në fillim të luftës.

Opsioni më i mirë është furnizimi me avionë që pilotët ukrainas dinë t’i përdorin: avionë luftarakë MiG-29 dhe Su-25. Për shembull, Polonia ka në dispozicion 28 MiG-29

që mund t’i transferojë menjëherë në Ukrainë. Ky opsion është bllokuar nga Shtetet e Bashkuara. Por një transferim i tillë mund të realizohet në heshtje, duke reduktuar edhe rrezikun e përshkallëzimit të situatës.

5. Rekrutim i pilotëve vullnetarë dhe ekipeve ndihmëse në tokë

Ky opsion paraqet një dilemë, pasi duhet një kohë e gjatë për të trajnuar pilotët dhe ekuipazhet e mirëmbajtjes, dhe këto role nuk mund të plotësohen lehtësisht nga vullnetarët vendas apo personeli ushtarak i një sektori tjetër.

Edhe pse NATO – dhe qeveritë e tjera perëndimore do të hezitojnë t’i furnizojnë drejtpërdrejt pilotët ushtarakë, ato ende mund të ndihmojnë në mënyra më pak shkallëzuese dhe më të diskrete, kryesisht duke trajnuar pilotët vullnetarë nga Evropa Lindore.

Përpara se SHBA-ja të hynte zyrtarisht në Luftën e Dytë Botërore, presidenti i atëhershëm Franklin D.Roosevelt autorizoi pilotët e Korpusit Ajror të Ushtrisë Amerikane, Marinës dhe Trupave Detare që të udhëtonin me avionë të prodhuar nga SHBA për Kinën, për të luftuar kundër Japonisë. 99 pilotët amerikanë u dorëhoqën zyrtarisht nga ushtria amerikane. Një model i ngjashëm mund të përdoret për të ndihmuar Ukrainën.

6. Mbështetja e vazhdimësisë së qeverisjes në Ukrainë

Vendimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të qëndruar në Kiev dhe për ta mbrojtur kryeqytetin e tij, e fuqizoi rezistencën e Ukrainës, dhe fitoi mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Por Rusia i ka dhënë përparësi kapjes apo vrasjes së udhëheqësve të lartë politikë dhe ushtarakë të Ukrainës.

Dhe forcat ruse mund ta arrijnë këtë gjë në betejën e tyre të ardhshme për pushtimin e Kievit. Prandaj, qeveria e Ukrainës duhet t’i njohë aleatët me një plan për vijimësinë e qeverisë në çdo lloj skenari. Ukraina duhet të fillojë planifikimin për një rezistencë të vazhdueshme të organizuar nga një terren më i mbrojtur, me gjasë diku në malet Karpate në Ukrainën Perëndimore. Dhe shtetet perëndimore mund ta ndihmojnë duke ofruar këshilla për zbatimin, dhe lehtësimin e lidhjeve të komunikimit, si dhe dërgimin e pajisjeve dhe burimeve për të ndihmuar në forcimin e vendndodhjeve alternative të zgjedhura./bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here