Ka nisur tashmë protesta kombëtare e të gjithë qytetarëve shqiptarë, siç ishte paralajmëruar ditën e djeshme nga aktivistë të shumtë. Në emër të të gjithë protestuesve, ata kanë shpalosur kërkesat e tyre, ku ndër to janë heqja e taksës së qarkullimit, ulje e barrës fiskale, hetim dhe mbikëqyrje për mirëfunksionim te tregut dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat në nevojë.
Deri më tani, ka një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të qytetarëve, të cilët po marshojnë nga sheshi “Skëndërbej” drejt Kryeministrisë. Edhe pse këta të fundit kanë paralajmëruar një protestë paqësore, qeveria ka angazhuar një numër të lartë efektivësh të pajisur me maska kundra-gaz dhe madje, autobote për të larguar protestuesit në rast të agravimit të situatës.
Ndërkohë që zhvillohet kjo protestë, Rama është duke zhvilluar një takim me fermerët për masat e ndërmarra nëpërmjet Paketës së Rezistencës Sociale. Mesa duket, ai ka zgjedhur të injorojë protestën dhe të vijojë propagandën e tij përsa i përket krizës në vendin tonë.