Kjo e hënë, 21 mars, do të jetë pushim për punonjësit e administratës.
Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili shtoi se do të bëhet edhe një tjetër mbledhje qeverie që ta bëjmë ditën e hënë pa makina, për të kursyer, jo për ekologji.
Në një takim me përfaqësues të shoqatave të transportit, Rama u ndal te rritja e çmimit të naftës dhe energjisë dhe problemi i mungesës në treg.
Kryeministri solli në vëmendje se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka nxjerrë një plan me 10 pika për kursimin e energjisë dhe të naftës.
“Dy prej këtyre pikave ne i kemi diskutuar dhe i kemi në draftplanin tonë të kursimeve të energjisë dhe naftës.
Agjencia përmendte një gjë që ne e kemi diskutuar dhe do ta bëjmë. Ne kemi vendosur në mbledhjen e qeverisë që dita e hënë të jetë pushim dhe do të bëjmë një tjetër mbledhje qeverie që ta bëjmë ditën e hënë pa makina, për të kursyer, jo për ekologji. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka caktuar ditën e diel pa makina.
Po ashtu plani ka edhe 3 ditë mosvajtje në punë dhe punë nga shtëpia si në kohën e pandemisë, për shkak kursimi. Kjo është situata”, shtoi Rama.