Dy minatorë, banorë të fshatit Kepenek, u nxorën të vdekur nga galeritë e nxjerrjes së kromit në Lajthizë të Tropojës.
Policia njoftoi arrestimin e drejtuesit teknik me akuzën e shkeljes së rregullave të sigurisë.
Shembja në minierën e kromit në Tropojë ndodhi paraditen e djeshme në fshatin Lajthizë, rreth 1000 metra thellësi. Adil Dautaj dhe Afrim Zhutaj humbën jetën, ndërsa katër minatorë të tjerë arritën të shpëtojnë.
Megjithatë tragjedia në minierën e kromit në fshatin Lajthizë të Tropojës nuk erdhi pa paralajmëruar. Mësohet se porta hyrëse e galerisë ishte me drurë gjysmë të kalbur dhe disa kavo, ndërsa situata nëntokë ishte akoma më e rëndë.
Administratorët nuk kishin marrë asnjë masë sigurie për të mos rrezikuar jetët e minatorëve që gërmojnë në thellësitë e tokës për të nxjerrë kromin. Mbi të gjitha këto miniera datojnë aty që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Pas viteve 90’ shfrytëzimi i minierave bëhet prej kompanish koncesionare. Në Shqipëri, sipas raporteve të Inspektoratit Shtetëror të Punës, minierat dhe karrierat janë sektori i dytë më i rrezikshëm pas atij të ndërtimit. Mbi 20 minatorë kanë humbur jetën në tre vitet e fundit në miniera apo punë të lidhura me to.