Neritan Sejamini ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kryetar i Partisë Demokratike.
Sejamini tha se PD në mes të krizës, një orë pas dorëheqjes së Bashës, vendosi që nuk do të ketë kryetar deri pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të vitit 2023 dhe në krye do të qëndrojë si kryetar i komanduar, Enkelejd Alibeaj.
“Erdhi një moment që ikën të gjithë prej Bashës. E kishte të pamundur për ta mbajtur.
Ne mund të diskutojmë për Berisha-Basha, çfarë duhet të ndodhë mes tyre, por unë do të doja ta çoja vëmendjen diku tjetër. Çfarë është sot PD? Kryetari i saj ka dhënë dorëheqjen. Nuk e dimë para kujt, aty nuk ka struktura. Duket qesharake, ne po flasim të shqetësuar, ndërsa aty kanë ikur në shtëpi.
Ke një parti që në pak minuta, le të supozojmë se nuk e kanë ditur më parë. Në një orë, PD ka vendosur të mos zgjedhë kryetar për një vit e gjysmë, por ta zgjedhë pas zgjedhjeve lokale. Kush e mori këtë vendim? Si u mor ky vendim?
PD ka marrë vendim të jetë Alibeaj i ngarkuar deri pas zgjedhjeve lokale, pra 2023. Pra në një moment krize, brenda 30 minutash, me shumicën e njerëzve që nuk janë aty, ka marrë vendim të mos ketë kryetar. Çdo njeri që zgjidhet kryetar dhe humbet zgjedhjet lokale duhet të ikë. Prandaj po krijohet një strukturë për të mos mbajtur përgjegjësi për zgjedhjet. Po të humbasin zgjedhjet lokale, të mos marrë përgjegjësi askush. Pas kësaj përgatitet rikthimi.
PD sapo ka vendosur ti dorëzojë Edi Ramës zgjedhjet lokale në tavolinë. Ky është problemi i Partisë Demokratike”, tha Sejamini.