Prof.dr. Xhevdet Zekaj
Asambleja Zgjedhore e FSHF-së u zhvillua, familja e futbollit zgjodhi drejtuesit e rinj të saj. Nga ana tjetër, gjykata e urdhëruar nga pushteti ka marrë në kohë rekord, siç e kemi thënë edhe më parë, disa vendime kundër FSHF-së, dejtuesve të saj. Janë bërë brenda një muaji gati 10 gjyqe kundër drejtuesve të futbollit. Nuk ka rast tjetër të ngjashëm në botë si ky, pa për drejtësinë tonë të re jemi të gjithë të vetyëdijshëm. Nëse duhen deri në 7-8 vite për të shqyartuar një çështje civile të qytetarit të thjeshtë, këto palo gjykata marrin vendime me “breshëri” kuru a kërkon pushteti ekzekutiv.
Pezullimi i presidentit Duka dhe i sekretarit Ilir Shulku nga këto vendime gjykatash të diktuara nga politika ka shqetësuar skajshëm UEFA-n. Dënimi i saj, i bërë gati, mund të jetë me pasoja katastrofike për futbollin tonë. Gjasat janë që të hiqet finalja e “Conference League” nga Tirana, e planifikuar më 25 maj në “Arena Kombëtare”, si dhe pezullimi nga aktivitetet ndërkombëtare të klubeve dhe kombëtareve tona. Pra, politika po bën një vetëvrasje, duke minuar të parën finale europiane në histori, që të zhvillohet në vendin tonë.
Sipas të dhënave të besueshme, Greqia po përgatitet për të zhvilluar finalen e “Conference League”, të cilës politika shqiptare po i bie me shqelm, duke ua bërë dhuratë helenëve. Kjo do të thotë se atdheu ynë merr një shuplakë të madhe në imazh, ndërsa përfiton një nga fqinjët tanë që vazhdon të ketë ende në fuqi ligjin e luftës kundër shqiptarëve.
Na dhemb shumë futbolli edhe në këtë situatë rritjesh stratosferike të çmimeve, me të cilat duhet të merret 24/7 pushteti, sepse në një vit klubet tona humbasin 8 milionë euro nga UEFA. Kjo nënkupton fundin e Superiores, sepse klubet e saj kanë të adhura kryesore ato të pjesëmarjes në Kupat e Europës.
Me përjashtimin e Shqipërisë do të humbisnin shumë djemtë e talentuar të kombëtares, të cilët nuk do të luanin dot në kualifikueset e kompeticioneve ndërkombëtare. Ata do të humbisnin vlerën e kartonit, ndërsa futbolli ynë 10 milionë euro nga e drejta televizive në vit për ndeshjet e kombëtares.
Dëm kolosal për një vend të varfër si ky i yni, ku futbolli na nderon në Europë, ka shkuar në Europë, ndërsa politika ka vite pa bërë dot asnjë hap para drejt BE.
Veç futbollit, ky rast tregon se edhe drejtësia e re shqiptare është në rrezik. Në vendin tonë nuk paska drejtësi, por zbatim të urdhërave politikë nëpër gjykata. Të gjithë qenkemi të pambrojtur nga drejtësia e re, ajo qenka veçse një ishull i pushtuar nga politika.
Drejtësia është e kapur, merr urdhëra, i zbaton ato. Ashtu si dhe dje SPAK dënoi disa punonjës “call-center”, mbajti disa persona në burg se kështu duan gjermanët, duke iu thënë: Ne po ju fusim në burg, do t’ju mbajmë sa të gjejmë prova, se nuk kemi. Prandaj themi që atdheu është në rrezik me këtë drejtësi, edhe futbolli gjithashtu. Kjo do të thotë që të vrasësh shpresën te futbolli dhe djemtë e kombëtares kuqezi të shkojnë në Prishtinë, në Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi.
Kjo do të thotë t’i bësh gropën Shqipërisë në imazh, sepse përfaqësimet dinjitoze të kombëtares na kanë nderuar në Europë. Mos harroni si e tërë politika u shkri në një me kuqezinjtë gjatë “Francë 2016”, për të rrëmbyer sa të mundet nga lavdia e tyre. Krahasoni pushtetarët atë kohë, në gjunë para djemve kuqezinj, dhe tani, duke përdorur gjykatat për ta fundosur futbollin në vendin tonë, vetëm sepse duan ta kenë nën hyqëm edhe këtë ishull të vetëm e të papushtuar ende.
Nëse Rusia përjashtohet se sulmon një shtet të pavarur dhe “de facto” shpall Luftën e tretë Botërore, ne përjashtohemi se politika do ishullin e pakapur të futbollit. Madje, këtë ishull të pakapur të futbollit do t’ia japë një ish-komentatori që e ka mjelur deri në pikën e fundit kombëtaren kuqezi, sidomos, por edhe klubet tona në Europë, apo një dështaku permanent që rreh gjoksin në emër të shoqatës rajonale të Tiranës. Kjo është fatkeqësi e shumëfishtë, sepse drejtuesit e futbollit tonë nuk mund të emërohen si kryetarët e bashkive, por të zgjidhen nga vetë klubet, shoqatat, familja e këtij sporti.