Në nisje të samitit të NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se vendet e aleancës duhet të tregojnë më shumë vendosmëri përballë agresionit rus.
“Presidenti Putin ka bërë një gabim të madh, kundër një kombi sovran të pavarur. Ai e ka nënvlerësuar forcën e popullit ukrainas, trimërinë e popullit ukrainas dhe forcave të tij të armatosura, dhe për këtë arsye ata po përballen me rezistencë shumë më të madhe nga sa prisnin”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ai theksoi se vendet e NATO-s duhet të invesojnë më shumë në mbrojtje.
“Ne duhet të bëjmë më shumë dhe për këtë arsye duhet të investojmë më shumë dhe pres që liderët të bien dakord të përshpejtojnë investimet në mbrojtje për të përmbushur zotimin që kemi bërë”, tha ai.
“Takimi i sotëm do të tregojë rëndësinë që Amerika e Veriut dhe Evropa të qëndrojnë së bashku për të përballuar këtë krizë. Ne jemi aleanca më e fortë në botë dhe për sa kohë që qëndrojmë së bashku, ne jemi gjithashtu të sigurt. Fakti është se ne përballemi me krizën më serioze të sigurisë në një dekadë dhe për këtë arsye NATO duhet të reagojë”, u shpreh ai më tej.