Ina Zhupa i do të dy/ Edhe Bashën edhe Berishën

0
244

Deputetja demokrate Ina Zhupa duket se ka vendosur t’i lërë pendët përfundimisht ish-kryetarit Lulzim Basha dhe të kërkojë rrugë të tërthorta për t’u bashkuar me Komisionin e Rithemelimit të PD-së, me mbështetësit e tyre që e fituan së fundmi edhe ligjërisht betejën përballë uzurpatorëve të selisë dhe të PD-së.

Zhupa ka idenë se 52 deputetët demokratë duhet të bashkohen, por si fillim në një takim në drejtimin e deputetes më të re në moshë, Andia Ullirit! Ish-zëdhënësja e PD-së nuk ngurron të thotë që “hierarkitë partiake le të zhduken një moment, asgjë e keqe nuk do të vijë” dhe fton çdo deputet që këtij propozimi t’i përgjigjet në tager personal dhe politik “për të mirën e PD-së”.

Në idenë që Zhupa duket se e ka bluajtur gjatë, që e konsideron si tërësisht të sajën, çuditërisht spikat një frazë që këta muaj ia ka rrahur vazhdimisht sytë dhe veshët çdo qytetari në çdo cep të vendit: “Le të dëgjojmë njeri-tjetrin” – sugjeron Zhupa, si tek Këshillimi Kombëtar – fletushka propagandistike e kreut socialist Edi Rama.

Në vijim, për të qënë korrekt, po japim mesazh-propozimin e plotë të deputetes Ina Zhupa, që e ka titulluar:

“Partia Demokratike është parti e shqiptarëve!”:

“Më 25 prill 2021 kemi marrë 622,187 vota të vlefshme të shqiptarëve, duke nxjerrë nga lista jonë 59 deputetë, nga të cilët 7 nga partia aleate në listën e PD-së dhe 52 deputetë nga Partia Demokratike.

Fatkeqësia është që në asnjë votim në parlamentin shqiptar nuk kemi arritur dot të marrim 59 vota kundër apo pro një çështjeje të mbrojtur nga opozita dhe kur parimisht mund të kemi qënë dakort të gjithë, por jemi ndarë te forma apo subjekti propozues!

Ngjarjet në Partinë Demokratike janë të njohura për publikun. Si deputete e Partisë Demokratike ndjej detyrim moral ndaj votuesve tanë që të përmbush angazhimin e marrë për të përfaqësuar interesat e tyre në parlament.

Si anëtare e Partisë Demokratike ndjej detyrim moral ndaj bashkëudhetarëve të partisë të arrijmë bashkimin që na çon në forcimin tonë, në përfaqësim me dinjitet të tyre, në fitimin e bashkive në 2023-in dhe në objektivin kryesor rrëzimin sa më shpejt të Edi Ramës.

Për këtë arsye kam vendosur të bëj publik një propozim personal, pa asnjë tagër përfaqësimi masiv, që sigurisht nuk është zgjidhja përfundimtare, se ajo do vullnet dhe punë nga të gjithë ne, por është një rrugë për të nisur zgjidhjen.

Propozoj:

1- Mbledhjen e përbashkët të 52 deputetëve të Partisë Demokratike, të votuar nga qytetarët shqiptarë për t’i përfaqësuar, pa asnjë përjashtim!

2- Mbledhja e parë të zhvillohet vetëm me një pikë të rendit të ditës: Situata në PD! Të dëgjojmë njeri-tjetrin, të flasim me njeri tjetrin sy me sy dhe jo nëpërmjet ekraneve të televizioneve ku jemi bërë ushqimi i përditshëm i publikut që e ndjek si telenovelë!

3- Mbledhja e parë të zhvillohet në ambientet e kryesisë së kuvendit ku mblidhen edhe grupe të tjera parlamentare po ku edhe grupi ynë është mbledhur me raste të caktuara.

4- Mbledhja e parë të moderohet nga deputetja më e re e grupit parlamentar Andia Ulliri dhe të mos ketë limit kohor në diskutime. Hierarkitë partiake le të zhduken një moment, asgjë e keqe nuk do të vijë.

Sigurisht nuk mendoj se pas asaj mbledhjeje, PD do të dalë e bashkuar automatikisht por mendoj se është detyrim ndaj 622187 shqiptarëve dhe një hap i parë.

Të bisedosh, jo gjithmonë arrin të biesh dakord me çdo gjë por të paktën ke tentuar diçka me qytetari dhe me vullnet te mirë. Demokratët janë shquar për mbrojtjen e fjalës së lirë!

Ftoj çdo koleg deputet që këtij propozimi t’i përgjigjet pa tagra të tjerë përfaqësuese, por në tager personal dhe politik si deputet i PD-së për të mirën e PD-së!”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here