Punëtorët e një fabrike që prodhon kabllo e tela për automjetet për llogari të një kompanie gjermani janë helmuar gjatë ditës së sotme vetëm pak minuta pasi kishin shkuar në punë. Një pjesë e tyre janë paraqitur në spital me shenja helmimi, ku kanë marrë mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
“Kishin hedhur ilaç për minjtë dhe nuk na thanë. Nga ilaçi i minjve nisi helmimi. Në repartin tim jemi rreth 100 gra që punojmë”, tha njëra prej grave që po merr serum në urgjencën e Spitalit rajonal të Durrësit.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e punonjëseve, të cilat thanë se në fabrikë ishte hedhur bar miu që shkaktoi edhe shenja helmimi masiv te dhjetëra punëtorëve. Fillimisht kanë marrë mjekim nga mjeku i fabrikës, i cili vendosi që puna të mbyllej për sot. Por edhe pse u dërguan në shtëpi një pjesë e punonjëseve që iu kanë vijuar simptomat kanë mbërritur në spital ku kanë marrë mjekim të specializuar.
Mjekët thanë se janë jashtë rrezikut për jetën.